E mitura rome pranon të martohet me rrëmbyesin
Policia e Fierit ka mundur të gjejë 15-vjeçaren rome, e zhdukur që prej 5 ditësh. Ajo është gjetur në fshatin Baltëz, jo shumë larg Levanit në një kasolle të braktisur, ku qëndronte me 33-vjeçarin Fatmir Hazizi. Policia i ka shoqëruar për në mjediset e komisariatit, ku i ka marrë në pyetje për disa orë me radhë. Mësohet se 33-vjeçari, i cili rezulton i martuar, por është duke u ndarë me të shoqen, ka kërkuar të martohet me 15-vjeçaren Kadrie Kalemi. Përballë deklaratave të dy protagonistëve kryesorë të ngjarjes, policia ka vendosur të mos nisë procedim penal për 33-vjeçarin Fatmir Hazizi, por të ndjekë për pak ditë ecurinë e marrëdhënieve të tyre, pasi kështu kanë kërkuar prindërit e 15-vjeçares. Gjatë paradites së enjte, vetëm pak orë pas daljes nga mjediset e policisë dhe pas qetësimit të situatës mes dy familjeve, janë shkëmbyer llokumet mes njëra-tjetrës. Kjo është bërë në prani të inspektorit të policisë, që mbulon lagjen ku banojnë familjet rome.
Ma.Tr.
Ma.Tr.