Protesta për ujin, banorët akuzojnë për abuzime me fondet
Në Hamallaj të Durrësit, banorët vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm, ndonëse qeveria ka akorduar një fond prej 90 milionë lekësh për ndërtimin e ujësjellësit. Gjatë një proteste, banorë të kësaj zone kanë ngritur zërin ndaj problematikës, me të cilën hasen prej vitesh, ndërsa denoncojnë se një pjesë e fondit të akorduar për ujësjellësin është përdorur për fushatën elektorale, ndërsa investimi është bërë gjysmak. Rreth 8 mijë banorë të Hamallajt, vetëm 20 km larg qytetit të Durrësit jetojnë në kushte të vështira, për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, ndërsa thonë se faturohen aforfe për ujin që mungon. Ata vazhdojnë të mbushin ujë në të vetmen çezmë publike të zonës, pasi ujësjellësi nuk ka përfunduar. Madje, shumë banorë kanë paguar 3500 lekë të rinj për sahatet e ujit që nuk janë instaluar kurrë, por u janë lënë në dorë. Po kështu, të gjithë banorët paguajnë çdo muaj fatura aforfe për ujin për 4 vjet me radhë. U duhet të presin 4 deri 5 orë nëpër radhë që të mbushin ujë në të vetmen çezmë në disa tuba, në një gropë balte. Po kështu, edhe fëmijë të zonës thonë se nuk kanë kohë as të mësojnë, pasi sapo vijnë nga shkolla detyrohen të presin me orë të tëra në radhë për ujë dhe shpesh i marrin librat me vete për të mësuar te burimi. Për këtë situatë tejet skandaloze është shprehur edhe deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga, i cili ka deklaruar se kjo situatë është shkaktuar si pasojë e korrupsionit të Kryeministrit Berisha, i cili fondet e këtij ujësjellësi i ka përdorur për fushatën elektorale të partisë së tij.
Va.Qy.
Va.Qy.