E Hënë, 2 Nëntor 2026

DRAGOTI për publikun, PUBLIKU për ndryshimin

14/05/2005  Në mbështetje të teorisë mbi kohën dhe hapësirën, asgjë nuk ka ndryshuar, por brenda mbështetjes së parimeve të teorisë, mënyra për të shijuar artin dhe, për të menduar më gjatë rreth fuqisë së tij ka ndryshuar krejtësisht, sepse ka ndryshuar shekulli dhe njeriu, ka ndryshuar objekti dhe mjeti i realizimit, ka ndryshuar më thelbësorja, koncepti artist.

Në një vend si tonin, në vitin 1991, fillimi i të kuptuarit të asaj që po ndodhte, ishte tejet i vështirë. Ai e shpalli luftën ndërmjet mentaliteteve. E shpalli të hapur luftën e artit tradicional, si një art i ndjeshëm ndaj kopjimit të natyrës që shohim dhe të asaj që shekulli i XIX dhe XX kishte kryer, me artin bashkëkohor, si një art i ndjeshëm ndaj pamjes intelektuale të kohësisë sonë, që zhvillohet në mjediset dhe territoret më të njohura të kulturës në botë. E shpalli të hapur luftën e reformatores (së resë), kundrejt konservatores (së vjetrës), teori kjo, që objektivisht, edhe pse e përqafuar, plotësisht, prej ideologjisë marksiste-dialektike, e cila në këtë rast nuk mund të gjykohet aspak, tregoi se e reja vetëm “triumfon”. Ende në qarqet artistike filtrohet kjo situatë betejash, që tregon për një mbështetje fanatike të paparë, por të parashikuar, se do të degradojë në të gjithë kulturën e vendeve të Lindjes. Bazë e këtij degradimi është degradimi politik dhe ekonomik i tyre. Bazë e mbrujtur nën konflikte me pamje të fuqishme, që do të thotë se vizionet e reja të imazheve artistike, që do të na sugjerohen, do të jenë pika të forta, që do t`u referohet arti bashkëkohor i bashkëkohësisë sonë. Në një nga kryqëzimet e Tiranës, ku një krim automobilistik i tmerrshëm ka ndodhur para pak kohësh, njerëzit qëndrojnë dhe presin të kalojnë makinat, sepse është radha e tyre. Diku pranë, i mobilizuar qëndron një polic trafiku. Në zigzaket e makinave parakalon një çift të rinjsh, me pamje “laike”, në kuptimin kulturor, me pamjen e “të pagdhendurit”, veçse të veshur me xhinse, këpucë me shollë e maja, së bashku të dy me vathë në vesh, mashkull e femër (i kisha përballë). Dëgjohet butësisht polici “Ej ju, nuk ka lezet! Priteni, o burrë shenjën tuaj!”. Dëgjohet egërsisht indiferent mashkulli: “Ç`më çan b…”. Të gjitha kokat e njerëzve pritës kthehen e shohin policin e trafikut, i cili kthen kurrizin e shkon më tutje dhe të kujton shprehjen: “Shko andej, hajde këtej”. Ky është një element i fotografuar dhe i memorizuar, që tentova ta krahasoj me ekspozitën e Dragotit, hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, titulluar “Diskrete Elements”, që çdo artist tenton ta memorizojë në vëmendjen e tij artistike. Dragoti vjen me një figurë vetjake, teknikisht të njohur në eksperiencat evropiane, dhe më intereson tek ajo, mënyra e ndryshme e të shprehurit, pasi për disa vite radhazi ai ka pikturuar memorien, lëvizjen, nudon dhe peisazhin, i stisur nga përmbajtje dhe forma tradicionale. Një domosdoshmëri e pashmangshme e shekullit XX për çdo piktor shqiptar, në një fazë të caktuar të krijimtarisë, mbi të cilën Dragoti ka realizuar me sukses shprazjen ekspresive të ndjesive të veta mbi dydimensionale të shumta. Në ekspozitën më të fundit në GKA, Tiranë, Dragoti vjen pothuajse i ndryshëm, por jo plotësisht i tillë. Sjell një dydimensional në dukje tradicional, sepse teknika e sugjeron këtë, por imazhet ndjellin efekt, zbulojnë informacion figurativ, shkaktojnë emocion, fokusojnë impenjimin e artistit rreth mjedisit të qytetit të tij dhe zbulojnë njëtrajtshmërinë e figurës së këtij të fundit, dizenjuar pjesërisht dhe herë pas here me simbole politike dhe simbole rajonale rrugore. Aspak nuk jam e interesuar të përshkruaj një për një figurat e shfaqura, që rrjedhojnë fillimin dhe mbarimin e një linje. Ajo vjen e referuar në tri tipe krijimtarish, (ku në brendësinë e tyre përmbajnë “discrete elements”), të cilat ndeshen në dizarmoninë e tyre dhe pjellin, për publikun me mend, harmoninë e një ndjesie të vetme. Ajo, në mbarim, atrofizohet në një vështrim “diskret” (pra në një vështrim të veçantë të pavazhdueshëm) të një figure të vetme. Në rastin e Dragotit, kali me pavetëdije dhe background-i i lëvizshëm, refugjatët e pajetë dhe background-i i lëvizshëm, në rastin tim pakuptimësia e policit të shtetit shqiptar dhe background-i i lëvizshëm, sugjerojnë së bashku vëmendje të mprehtë mbi “Discrete elements” në jetën tonë të përditshme. Kjo nuk është revoltë, por nxitje dhe detyrim për kujdesje të veçantë rreth asaj që na rrethon, zbulim për të përmirësuar mënyrat tona të veprimit dhe përpunim të figurës artistike në klishetë e sekuencave fotografike. Si rrjedhojë, kemi përballë një produkt artistik që pret të shijohet.

Përse Dragoti vjen në këto rezultate artistike? Ai nuk është aspak i pari që ka vendosur të organizojë krijimtarinë e tij në këtë mënyrë, por është i përgjegjshëm përkundrejt figurës artistike që do të trashëgojë mbi vizionet tona. Të shprehurit e tij artistik mund ta mbartë vërtetazi gjuhën përcaktuese si një figurë artistike me cilësi bashkëkohore (mohoj debatin e tavolinave që e lidhin këtë cilësi vetëm me bashkëkohësinë e jetës së artistit në ditët tij), e cila përpiqet t'i referohet gjuhës elitare të artit të fuqishëm të kohës sonë, që është një art i ideve të ndërgjegjshme e plot inteligjencë, e së fundmi (unë mendoj) është një art thelbësisht i ndryshëm dhe i qëndrueshëm brenda kohës së vet, ku vizionet e tij shpeshherë janë një revoltë përkundrejt asaj çka keqazi trashëgojmë, janë një sarkazëm përkundrejt asaj çka ndodh rreth nesh, janë një ndjesi homori ndaj nostalgjisë memoriale, janë një pamje videoteke dhe fotografike e lëvizjeve tona në ndryshueshmërinë e mjedisit tonë dhe, së fundi, janë bashkëjetesa e elementëve heterogjenë në një bashkësi homogjene, ku njeriu dhe fenomenet e pjellura prej tij janë heterogjene dhe, ku koha dhe hapësira, në të cilën ata jetojnë janë homogjene. Kjo merr pamjen e përmbajtjes së figurës artistike të Dragotit, e cila përpiqet, edhe pse jo në harmoni të plotë, të risojë art impenjativ bashkëkohor, dikush e cilësoi politik, që edhe kështu mund të jetë. Sepse, sot dhe kudo, figura që na sugjeron arti, nuk mund të mbetet jashtë vorbullës së saj. Ajo është një figurë mbi të cilën mendoj se, nëse do të kishte një përpjekje individuale përzgjedhëse më të forte, do të ishte më e mprehtë dhe më goditëse, pra do të regjistrohej me më fuqi në memorien tonë figurative. Gjithsesi mendoj se është një përpjekje e suksesshme e Dragotit për ndryshim mbi Dragotin. Eshtë një përpjekje figurative, për të tërhequr vëmendjen tonë publike, është një pikë referimi, për të nxitur vetëdijen tonë publike, për të parë më qartë, për të kuptuar më mirë, për të krahësuar dhe për t`u bindur se ndryshimi është domosdoshmëri e jetës publike shqiptare.

* Autorja është studiuese arti pranë GKA-së

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›