E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konkursi "Skënderbeu, diplomat e strateg", artistët shqiptarë jashtë konceptit

14/05/2005  Në mbyllje të konkursit "Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strateg dhe diplomat", Komisioni i Vlerësimit të veprave i ka dhënë çmimin e parë piktorit Alush Shima, me tablonë e titulluar "Skënderbeu mbret". Më pas, një pjesë e veprave të paraqitura në këtë konkurs do të udhëtojnë drejt Prishtinës

Vetëm një ditë pas hapjes së ekspozitës me veprat pjesëmarrëse në konkursin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strateg dhe diplomat", me pjesëmarrjen e 90 artistëve në fusha të ndryshme të arteve pamore, është shpallur edhe artisti fitues. Eshtë piktori Alush Shima, i cili është shpallur fitues i këtij konkursi me tablonë "Skënderbeu mbret", një tablo e përmasave të mëdha. Këtë vendim e ka bërë dje publik drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Abaz Hado, ndërsa Komisioni e Vlerësimit përbëhej nga Eshref Qahini (kryetar, Kosovë), Gani Bajraktari (anëtar, Kosovë), Mimoza Sofroni (anëtare), Suzana Kuka (anëtare), Ylli Drishti (anëtar) dhe Ilir Martini (anëtar). Në fjalën e tij, Hado theksoi midis të tjerash se fituesi do të marrë një shumë prej 100 mijë lekësh, shumë që do të jepet nga institucioni që ai drejton. Më pas, 27 vepra të përzgjedhurat si më të mirat e kësaj ekspozite, do të udhëtojnë drejt Prishtinës për t'u ekspozuar së bashku me veprat e artistëve kosovarë, që janë përzgjedhur nga Galeria e Arteve në Prishtinë për konkursin me të njëjtën temë, që është zhvilluar paralelisht edhe në Kosovë.

Artistët shqiptarë jashtë konceptit

Eshtë për të ardhur keq, por ky konkurs solli para publikut vepra që nuk përkonin aspak me konceptin e temës së tij. Ky fakt është pohuar me mjaft elegancë edhe nga drejtori Hado gjatë konferencës për shtyp, kur pohoi se ky "konkurs nuk e ka ezauruar tërësisht trajtimin e figurës". Tërhiqte vëmendjen fakti se shumë prej veprave jo vetëm ishin jashtë konceptit të konkursit, por kishin kaluar në konceptime "sureliste", pa lidhje me figurën e Skënderbeut, ku njëra prej tyre e paraqiste atë si një prift bizantin, apo një tjetër që e pasqyronte në parametra luftarakë të legjioneve romake, fakt që tregon se artistët shqiptarë, të paktën ata pjesëmarrës në këtë konkurs, janë ende larg parametrave konceptualë, por edhe të prezantimit figurativ që kërkonte ky konkurs. Vetëm disa punë, midis të cilave edhe një portret i Agim Sulajt, të bindin për vlerat e tyre. Studiuesja Suzana Varvarica ka pohur për "Metropol" se, me përjashtim të veprës fituese apo edhe disa pikturave apo dhe rreth tre apo katër skulptura, "veprat e tjera, normalisht, nuk duhet të ishin ekspozuar". Le të shpresojmë se për 700-vjetorin këto ngërçe artistike do të tejkalohen.

Ambasada kineze klimatizon GKA

Gjatë konferencës për shtyp, për shpalljen zyrtare të fituesit të konkursit "Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strateg dhe diplomat", drejtori i GKA-së, Hado, ka gjetur rastin të shprehë mirënjohjen e institucionit që ai drejton ndaj ambasadës kineze në Tiranë, e cila i ka dhuruar GKA-së dy kondicionerë të parametrave të lartë si edhe një sistem kompjuterik të parametrave të lartë. Të dy kondicionerët do të vendosen menjëherë në sallën e ikonave dhe të fondit, pasi ato janë edhe dy pikat më delikate të ambienteve të Galerisë. Montimi i kondicionerëve do të mundësojë klimatizimin e këtyre dy sallave, e thënë ndryshe do të ndihmojë në ruajtjen e temperaturave konstante, si në sallën e ikonave, ashtu edhe atë të fondit, një kusht i domosdoshëm për ruajtjen e veprave që ndodhen aty. Këta janë edhe dy kondicionerët e parë që vendosen në GKA, pasi deri tani institucioni nuk dispononte asnjë të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›