E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studentët e ekonomikut, praktikë falas te “Raiffeisen Bank“

14/05/2005  Studentët më të mirë të vitit të fundit të ekonomikut do të kenë mundësi të bëjnë një muaj praktikë në të gjithë sektorët e bankingut të “Raiffeisen Bank“. Kjo bankë do të fillojë më 16 maj një program praktike për studentët më të mirë të Fakultetit Ekonomik, që do të diplomohen këtë vit“, bën të ditur Zyra e Shtypit e “Raiffeisen Bank“. Banka ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Dekanatin e Ekonomikut, ku hapi i parë ka qenë dhënia e leksioneve nga ana e drejtuesve të bankës. Ndërkaq mund të thuhet se ky është program i parë i internshipit në punë, i cili do t’u japë studentëve një vështrim të përgjithshëm mbi aktivitetet bankare bazë. Në fund të këtij programi internshipi, studentët do të pajisen me një certifikatë, të cilën ata mund ta përdorin si letër reference për punën e tyre në të ardhmen.

“Kjo është një iniciativë mjaft pozitive e fakultetit tonë dhe ’Raiffeisen Bank’. Studentët tanë do të përfitojnë shumë nga ky program internshipi. Ata do të kenë mundësinë për të parë në praktikë atë çka ata kanë studiuar në teori”, deklaroi Lavdosh Zaho, shef i katedrës së Financës në Fakultetin Ekonomik.

Sektorët ku do të trajnohen studentët

Proceset dhe procedurat e sportelit

Njohje me produktet që i ofrohen klientëve

Përmirësimi i aftësive të tyre shitëse në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve të bankës

Marrëdhëniet me palët e treta (punonjësit e institucioneve publike, kompanitë private)

Kuptimi i organizimit të brendshëm të bankës, strukturimi, raportimi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›