E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria fal kamat vonesat e sigurimeve shoqërore

14/05/2005  Qeveria ka vendosur të falë kamatvonesat e sigurimeve shoqërore të prapambetura për 2004-ën, duke lehtësuar me dhjetëra biznese që janë vonuar të paguajnë këtë detyrim. Subjektet private që paguajnë sigurimet shoqërore për punonjësit e tyre, mund të mos i paguajnë në kohë, duke bërë që për çdo muaj t’u shtohet dhe kamatvonesa. Pikërisht kjo lloj gjobe është eliminuar, duke u kursyer subjekteve private paratë dhe duke u lënë kohë të paguajnë detyrimet e prapambetura. Kështu vendimi parashikon që sigurimet shoqërore të vonuara të vitit 2004 duhet të paguhen patjetër pa u mbyllur viti 2005. "Falen kamatvonesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të papaguara deri më 31.12.2004, nga ndërmarrjet dhe shoqëritë me kapital tërësisht shtetëror, nga institucionet shtetërore, buxhetore dhe jobuxhetore, nga ndërmarrjet dhe shoqëritë me kapital të përbashkët me shtetin, nga personat juridikë dhe fizikë privatë dhe nga personat e vetëpunësuar në bujqësi, me kusht që detyrimet për kontributet të arkëtohen brenda datës 31.12.2005", bën të ditur vendimi i qeverisë. Kështu duket se kamatvonesat do t’u falen edhe atyre që i kanë paguar sigurimet, duke u njohur vlerën e pagesës së arkëtuar. Ky projektligj propozohet bazuar edhe në përvojën pozitive të vitit 2004, ku efektet e këtij ligji kanë qenë të matshme dhe konkrete. Ligji pati një ndikim të madh në realizimin e të ardhurave të programuara të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2004, duke nxitur debitorët për likujdimin e kontributeve të prapambetura dhe duke rritur të ardhurat ndjeshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›