E Martë, 3 Nëntor 2026

Radha e Uzbekistanit

14/05/2005  Përleshje në rrugë me policinë: 39 të plagosur

Revoltë në ish-republikën sovjetike, 20 të vdekur. Kryengritësit marrin kontrollin e Andijanit dhe lirojnë 2 mijë të burgosur, nga një burg i sigurisë së lartë

“Ne nuk do të rrëzojmë qeverinë. Kërkojmë vetëm liri ekonomike”, i tha Egomov, agjencisë “The Associated Press”. “Nëse ushtria do të qëllojë, ne jemi gati të vdesim, në vend që të jetojmë ashtu si tani. Populli i Uzbekistanit është katandisur në një jetesë poshtëruese”

Uzbekistani në kaos: rebelët në ish-republikën sovjetike kanë marrë dje kontrollin e pjesës më të madhe të qytetit të Andijanit, që ndodhet në zonën lindore të Uzbekistanit. Në përleshjet me policinë ka patur të paktën 20 të vdekur dhe 39 të plagosur. Kryengritësit morën menjëherë dje peng më shumë se 30 policë dhe kërkuan ndërmjetësim të Rusisë.

Një prej protestuesve, që konfirmoi se numri i të vdekurve mund të jetë më shumë se 20, tha se 30 ushtarët dhe policët ishin marrë peng për shkak se ata kishin nisur të qëllojnë në drejtim të demonstruesve. Dy prej të vdekurve ishin fëmijë, i tha “Associated Press” Sherif Shakirov, vëllai i njërit prej tyre.

Ndërkohë, burimet e shërbimit të sigurisë të Uzbekistanit nxituan të deklarojnë se “situata është duke shkuar drejt normalizimit” dhe se të shtënat kanë pushuar. “Më shumë se njëqind rebelë janë të rrethuar në dy pika të qytetit. Jemi duke numëruar të vdekurit dhe të plagosurit. Po bëjmë të pamundurën për të rikthyer normalitetin”.

Presidenti i shtetit aziatik, Islam Karimov, ka mbërritur menjëherë në qytet dhe një zyrtar i Ministrisë së Jashtme deklaroi se filluan menjëherë negociatat me rebelët. Ndërkohë që një agjenci e huaj humanitare bëri të ditur, dje në mëngjes, se askush nuk e di me saktësi kush e ka në kontroll qytetin lindor Uzbek.

Ndërkohë, po dje u mësua se një kamikaz u vra përpara ambasadës izraelite në kryeqytetin Tashkent. Autoritetet uzbeke kanë ndërprerë ndërkohë dje sinjalet televizivë ndërkombëtare, përfshirë ata rus.

Sa i përket Andijanit, dje janë liruar më shumë se dymijë të burgosur, ndërkohë që i është vënë zjarri një kinemaje dhe një teatri. Sipas një gazetari vendas, kryengritësit kanë marrë nën kontroll edhe një kazermë ushtarake. Ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Uzbekistanit deklaroi se tashmë autoritetet ishin duke studiuar situatën.

Qyteti lindor ka qenë prej disa ditësh qendër e protestave dhe manifestimeve për lirimin e 23 personave të akuzuar se i përkasin grupeve ekstremiste islamike dhe që kanë kryer veprimtari antikushtetuese. Veç të tjerash, të 23 akuzohen se kanë themeluar një celulë të lëvizjes Akromija, një degë e Hizibi Tahrir, partia islamike e nxjerrë jashtë ligjit, e cila kërkon themelimin e një shteti islamik në territorin e ish-republikave sovjetike të Azisë Qendrore. Autoritetet uzbeke e akuzojnë këtë parti se ka nxitur akte terroriste, të cilat çuan vitin e kaluar në vdekjen e më shumë se pesëdhjetë personave. Andijan është një prej qyteteve më të rëndësishëm të Luginës së Ferganas, një rajon shumë i ndjeshëm ky ndaj thirrjeve të ekstremistëve islamikë.

Sipas asaj që ka thënë Valijon Atakhonjov, vëllai i njërit prej 23 të dënuarve, “populli është lëshuar”. Atakhonjov bëri të ditur, me anë të telefonit, për agjencitë e huaja të lajmeve, se rrugët janë në kaos, forcat e sigurisë kanë goditur në ajër dhe më pas mbi turmë dhe se mijëra nejrëz iu turrën zyrave të administratës lokale.

Lirimi

Protestuesit hynë me forcë dhe shpërthyen burgun gjatë natës, pasi sulmuan më parë një njësi ushtarake prej nga u pajisën me armë, bënë të ditur zyrtarët dhe dëshmitarët. Të 23 të dënuarit – biznesmenë të njohur, që akuzohen për lidhje terroriste dhe ekstremizëm islamik – u liruan, bëri të ditur njëri prej tyre, 33-vjeçari Abduvosid Egomov.

Egomov qëndronte dje i mbyllur në një ndërtesë të qeverisë lokale, e cila ishte marrë nga demonstruesit që po thyenin pllakat e dyshemesë dhe trotuaret përreth, për të vendosur gurë, me qëllim që të përforconin gardhin metalik që rrethon ndërtesën.

“Ne nuk do të rrëzojmë qeverinë. Kërkojmë vetëm liri ekonomike”, i tha Egomov agjencisë “The Associated Press”. “Nëse ushtria do të qëllojë, ne jemi gati të vdesim, në vend që të jetojmë ashtu si tani. Populli i Uzbekistanit është katandisur në një jetesë poshtëruese”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›