E Diel, 1 Nëntor 2026

DREKA E PAGUAR NGA FMN

Prill 2009.

"Pas një pune me bereqet, e meritojmë një drekë me peshk të egër deti dhe verë ‘Gaja‘",- tha Filipi. Rruga na çoi te restoranti i Gjergj Lucës. Hapim derën. Zbresim një palë shkallë. Futemi në sallë. Në një tavolinë kishin zënë vend Ridvan Bode, ministër i Financave; Adrian Fullani, guvernator i Bankës së Shqipërisë; zoti Bell, shef i misionit të FMN-së dhe zonja Ana, përfaqësuese e zyrës së Fondit në Tiranë. Pasi shkëmbyem disa batuta në gjysmë distancë me ministrin dhe guvernatorin, e morëm një të tundur koke nga miqtë, zumë vend në tavolinë.

Thotë Filipi:

-Kam parë një pikturë me këtë diciturë: FMN nuk të jep peshk për të ngrënë një drekë. Të mëson të zësh peshk për të ushqyer familjen. Si thoni ju: Kush do ta paguajë sot peshkun që kanë kapur peshkatarët e Gjergj Lucës? Qeveria, banka apo FMN?

-Ka edhe një filozofi të dytë për FMN-në, -shtova unë, -në marrëveshjet me qeveritë e vendeve në tranzicion, institucioni më i fuqishëm i botës, përdor kulaçin dhe kërbaçin. Dy orë më parë ka pasur një konferencë shtypi. Nëse zoti Bell ka përdorur kërbaçin për qeverinë "Berisha", sot peshkun e paguan FMN.

Një orë më vonë.

Dreka kishte përfunduar. Bode, Fullani dhe Bell ngjitën shkallët njëri pas tjetrit. Zonja Ana iu afrua banakut. Kërkoi llogarinë. E pikasi Filipi: "Drekën e paguan FMN-ja?". Zonja nga Holanda u përgjegj si e kapur në faj: "Po!". ..."Kjo do të thotë,- vazhdoi Filipi,- se në konferencën e shtypit ka kërcitur kërbaçi?!". Zonja, e cila siç duket nuk i kupton metaforat e shqipes, u largua duke na falur një buzëqeshje enigmatike...

...Bie telefoni. Zonja ime më jep një haber. Sot për darkë do të kemi përsëri amerikanin. Fjala është për Gregori Manki. Çdo këndonjës i gazetës mund të pyesë: Si të "mbiu" amerikani në shtëpi? Sebep, këtu e gjashtë vite të shkuara, u bë një dëmtim në makinën që amerikani udhëtonte nga Durrësi në Tiranë… E pashë tek e piqte dielli në një cep të autostradës dhe e mora në makinë. Është ekonomist me diplomë nga Universiteti i Havardit. Nga ajo ditë jemi bërë miq… Më parë se të hanim darkë me mysafirin, hapa televizorin. Në konferencën e shtypit, zoti Bell kishte tre kërkesa për qeverinë. Së pari, të mos ngrihen rrogat dhe pensionet. Së dyti, të mos ulen sigurimet shoqërore. Së treti, të mos përdoren fondet e kontingjencës për investime.

Amerikani: Avaz i vjetër i FMN-së. Ndryshon vetëm melodia: rreziku nga kriza ekonomike globale?!

Unë: Nuk të pëlqyen këshillat e zotit Bell?

Amerikani: Në mimikën dhe fjalët e zotit Bell dalloj mëri, sepse qeveria shqiptare, me gjithë presionet, nuk e vazhdoi marrëveshjen tip ESAF me FMN-në.

Unë: Kjo është pjesa e padukshme e ajsbergut. Dua koment për këshillat!

Amerikani: Kërkesat e zotit Bell janë kundër rrymës. Çfarë kërkohet sot nga qeveritë në botë për të dalë nga kriza? Së pari, ulje taksash. Taksa është violinë e parë për të nxitur prodhimin dhe për të shtuar konsumin. Zoti Bell këshillon të mos ulet 5 për qind taksa e sigurimeve shoqërore! Së dyti, G-20, mbledhur në fillimprilli në Londër, kërkoi nga qeveritë kreditimin e bizneseve. Qeveria amerikane i ka dhënë kompanisë së sigurimeve më të madhe në botë, AIG, mbi 170 miliardë dollarë. Kompanitë e automobilave në Detroid kanë marrë nga qeveria amerikane miliarda dollarë për të rinovuar teknologjitë e prodhimit. Qeveria greke bëri një paketë me 24 miliardë euro në ndihmë të sistemit bankar. Miliarda euro kanë injektuar qeveritë evropiane për të mos falimentuar bankat, për të nxitur konsumin, për të shtuar eksportin. Zoti Bell këshillon: Më pak kredi! Po pse? Sepse sipas teorive të mykura të FMN-së, kreditimi rrit inflacionin. Paradoks! Sot nuk jetojmë në rrezikun e inflacionit, por të deflacionit. Kam një pyetje: Historikisht, a ka ndërhyrë FMN-ja në politikat ekonomike të qeverive shqiptare?

Unë: Edhe ditën në drekë. Së pari, në vjeshtën e vitit 1995, FMN-ja kërkoi nga qeveria "Meksi" që TVSH-ja të jetë 18 për qind. Ngritja e rrogave 10 për qind. Kur Presidenti Berisha nguli këmbë që niveli i TVSH-së të ishte 12,5 për qind dhe ngritja e rrogave 25 për qind, FMN-ja nuk e firmosi marrëveshjen ESAF-2. Së dyti, në gusht të vitit 1997 u ftua në Romë Kryeministri Nano me një tabor ministrash. Në samitin ndërkombëtar për Shqipërinë, FMN-ja vendosi që TVSH-ja të ishte 20 për qind. Kryeministrit iu la vetëm e drejta e firmës. Së treti, deri në vitin 2005 FMN diktoi: Banka e Kursimit të mos jepte kredi. Pensionet dhe rrogat të rriteshin me "pikatore"! Qeveria socialiste i zbatoi me fanatizëm! Së katërti, në vitin 2006 FMN i bëri presion qeverisë "Berisha" për të mos vendosur taksën e sheshtë. Së pesti, vitin e kaluar FMN-ja, për të mbrojtur KESH-in nga borxhet, e këshilloi qeverinë të ulte importin e energjisë elektrike, pa e vënë ujin në zjarr për mungesat e energjisë elektrike për bizneset dhe popullsinë!

Në vazhdim të kronikave, në konferencë doli Edi Rama. Me fraza të huazuara nga ekspertët e FMN-së, shkarkoi të gjitha bateritë ndaj Berishës! Normale,- i thashë amerikanit, -ky është misioni i opozitës në prag zgjedhjesh: Ta bëjë qimen buall. Sot ka buallin-Bell përpara!

Amerikani: Disa vite më parë, ekonomisti amerikan Forbs, gjatë vizitës në Shqipëri, e këshilloi Kryeministrin Nano ta përzërë FMN-në. Pse e mbani ende?

Unë: Nuk kam qenë dakord me Forbs. Si ekonomist, së pari kam qenë "partizan" i reformave ekonomike nën "diktatin" e FMN-së. Së dyti, të gjitha qeveritë shqiptare pas vitit 1990, të djathta apo të majta, teknike a të përziera, "barometër" për treguesit makroekonomikë kanë pasur "pasqyrën sinoptike" që nxjerr zyra e FMN-së në Tiranë.

Amerikani: Mos vallë FMN-ja "pret" dollarë për Shqipërinë?

Unë: Përkundrazi. Çdo vit nga ky institucion nuk kemi marrë më shumë se 7-10 milionë dollarë, pa harruar që paguajmë për anëtarësim rreth 1 milion. "Sekreti" qëndron te fakti se marrëveshjet me FMN-në hapin "dritën jeshile" për të marrë kredi nga Banka Botërore, BERZH, Bashkimi Evropian etj. Pa firmën e FMN-së, investimet e huaja në Shqipëri do të ishin herezi.

Amerikani: Qeveria "Berisha" nuk ka firmosur marrëveshje të re me FMN-në. Mos vallë ka ardhur koha t‘i thuhet "hasta la vista" fondit?

Unë: Jo. Ende sot në Shqipëri nuk ka një institucion financiar të pavarur, që nga pikëpamja e besueshmërisë të zëvendësojë FMN-në. Unë mendoj që në vjeshtë do të ketë një marrëveshje të re me Fondin. FMN-ja, në marrëveshjet me qeveritë, ka vendosur "veton" për tri kushte. Së pari, bllokimin e pagave dhe të pensioneve, ose ngritjen e tyre me "pikatore". Së dyti, kufizimin e dhënies së kredive për biznesmenët. Së treti, mbajtjen e taksave në nivele të larta. Këtyre praktikave u ka dalë boja. Në takimin e G-20 u vendos t‘i jepen FMN-së rreth 700 miliardë dollarë. Kredi për Fondin dhanë edhe qeveritë e Zvicrës, Norvegjisë, Japonisë, Kanadasë etj. Por "oksigjeni" për Fondin kërkon reformim të institucionit. Me këtë filozofi duhet të "gatuhet" edhe marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së. "Më shumë kulaç, edhe pse kërbaçi ka dalë nga xheneti", -do të ironizonte Filipi!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›