Mbërrijnë 18 filmat e parë për "SummerFest Film"
Kanë mbërritur 18 filmat e parë të huaj, një pjesë e të cilëve do të konkurrojnë në edicionin e dytë të "International SummerFest Film", që do të zhvillohet në Durrës në gusht të këtij viti. Në veprimtarinë që organizohet nga MTKRS, Qendra Kombëtare Kinematografike dhe Bashkia e Durrësit, krahas filmave që konkurrojnë për çmimin e madh "Gladiatori i Artë" ka një seksion të veçantë që i kushtohet kinematografisë shqiptare në vite. Ende nuk janë përcaktuar detajet, por shpresohet që////////// këtë të gjendet një orar më i përshtatshëm për shfaqjen e tyre, me qëllim që sallat të mos mbeten vetëm me pak njerëz, siç ndodhi në edicionin e kaluar. Grupi seleksionues i festivalit ka marrë tashmë 18 filmat e parë, prodhime ose bashkëprodhime nga Danimarka, Franca, Greqia, Italia, Norvegjia, Turqia, Malta, Britania e Madhe, Kanadaja, Belgjika, Rusia, Argjentina, etj. Seleksionimi i filmave që do të konkurrojnë në edicionin e dytë të festivalit do të zhvillohet në muajin qershor të këtij viti, ndërsa nuk do të mungojnë filmat shqiptarë dhe të huaj që do të shfaqen jashtë garës. Sipas burimeve, regjisori shqiptaro-amerikan Stan Dragoti, prodhuesi hollivudian Ian Harlan dhe presidentja e Festivalit të Filmit në Romë, Teresa Cavina, kanë vizituar kohët e fundit Bashkinë e Durrësit dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për ta kthyer Festivalin e Filmit në Durrës në një veprimtari ndërkombëtare të përvitshme. Salla zyrtare e projektimit të filmave të këtij festivali do të jetë përsëri në teatrin "Aleksandër Moisiu", ndërsa në orët e vona të mbrëmjes, filmat do të shfaqen për publikun e gjerë edhe në arenën e Amfiteatrit antik të qytetit bregdetar. Në edicionin e parë të "International SummerFest Film" në Durrës, statuetën "Gladiatori i artë", e fitoi filmi i regjisorit çek, Jiri Menzel, me filmin "Unë i shërbeva mbretit të Anglisë".