E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncertet e Pranverës, në skenë dy pedagoge

Pedagoget e reja të Fakultetit të Muzikës, pianistja Kristina Petrollari dhe violonçelistja Dorina Laro u ngjitën të mërkurën në skenën e Akademisë së Arteve në një koncert duo cello e piano, në kuadrin e Stinës Koncertore të Pranverës. Ato interpretuan për rreth 90 minuta përpara kolegëve dhe studentëve të tyre vepra të muzikës klasike e moderne botërore të autorëve të njohur si Franck, Schostakowitch, Rachmaninoff. Pianistja Petrollari u shpreh se "të luash në piano vepra të njohura të kompozitorëve të mëdhenj është një privilegj i madh, sepse prek muzikën e vërtetë". Ndërsa violonçelistja Laro tha se "violonçelin e kam trashëgim nga babai dhe kjo më detyron që të përpiqem të përcjell te publiku muzikën e vërtetë". Stina Koncertore e Pranverës ka filluar më 10 mars dhe përfundon më 15 qershor të këtij viti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›