E Diel, 1 Nëntor 2026

Tepri udhëheqësish

"Përse janë katër gota ujë?", pyeste një gazetar i një të përditshmeje gjermane. Ishte pyetje e mirë. Një grup gazetarësh ishin futur me nxitim në një sallë të pasme gjatë samitit të BE-së në Pragë, për një intervistë me Barack Obamën. Misteri u zbulua shumë shpejt, si një çështje e protokollit të BE-së. Kur mbërriti presidenti amerikan, me të ishin 3 evropianë: kryeministri çek, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së; kryeministri i Suedisë, që do të ketë radhën; dhe presidenti i Komisionit Evropian. Obama, që po i afrohej fundit të turit të tij evropian, as nuk buzëqeshi dhe as nuk foli. Me shprehjen e palexueshme të fytyrës, ai ftoi kreun e Komisionit, Barroso, që të qëndronte te mikrofoni i vetëm.

Teksa Barroso, një politikan fjalëshumë, foli për lidhjen e fortë transatlantike, Obama u nguli sytë këpucëve të tij. Shprehja e tij e fytyrës nuk ndryshoi as edhe kur Barroso me guxim e quajti samitin gjysmë ditor BE-SHBA "një ngjarje shumë të rëndësishme", që në fakt nuk ishte. Më pas erdhi Fredrik Reinfeldt-i i Suedisë, i cili mirëpriti "sinjalet e reja" nga Amerika për luftimin e ndryshimit të klimës. Më pas erdhën disa deklarata të harrueshme nga Mirek Topolanek, mikpritësi çek i samitit. Koalicioni i Topolanek u rrëzua më 24 mars, duke e lënë atë thjesht si një kujdestar. Lidhja e tij me Obamën u reduktua edhe pasi ai e quajti publikisht planin amerikan të rimëkëmbjes si "rrugën drejt ferrit". Ai me të drejtë u la i mënjanuar: Takimi i tij dypalësh me Obamën u reduktua në minimum dhe atij iu desh ta ndajë me presidentin çek, Vaclav Klaus, një njeri i cili shihet gjerësisht prapa rrëzimit të qeverisë së Topolanek.

Në fund, Obama foli shkurt. Duke naviguar me shkathtësi batakun e euro-presidencave që kishte në krah, ai "vlerësoi lidershipin e këtyre tre xhentëlmenëve" dhe foli pak për Korenë e Veriut. Ai i quajti marrëdhëniet BE-Amerikë "një prej themeleve kritike të progresit në botë" dhe më pas u largua pa pritur pyetje. Për eurotipat në Bruksel, skica të tilla të sikletshme çojnë në një konkluzion: sa më shpejt që të jetë e mundur, 27 vendet anëtare të BE-së duhet të ratifikojnë Traktatin e Lisbonës, i cili krijon postin e ri të një presidenti të BE-së me kohë të plotë, me qëllim që vende të vogla jokompetente si Republika Çeke të mos kenë më radhën e të flasin për Evropën. Në fillim, presidenca çeke pati pjesën e saj të suksesit. Të çarat nisën që përpara se të vinte radha e presidencës, më 1 janar, kur ajo ishte më e larta në Paris. Kritika të tilla shpesh duken të frymëzuara nga një doktrinë e parashtruar prej presidentit Nicolas Sarkozy, kur ky dorëzoi presidencën e BE-së në fund të vitit 2008, se "duhet që shtetet të marrin iniciativën në Evropë".

Fatkeqësisht koha për të mbrojtur presidencën çeke ka ikur. Miopia mendjengushtë e politikanëve çekë ka bërë jo pak dëm. Teksa Obama largohej nga Praga, më 5 prill u arrit një marrëveshje për krijimin e një qeverie teknokrate të udhëhequr nga kryestatisticieni i vendit, Jan Fischer. Ai do të jetë në pushtet deri në zgjedhjet e hershme në fillim të vjeshtës. Mbështetësit e një qeverie të tillë jo partizane thonë se ajo shmang rreziqet që Klaus të emëronte një tjetër, i cili do të ndante me të euroskepticizmin, duke dëmtuar shumë presidencën çeke të BE-së, të cilës i kanë mbetur edhe disa javë. Ata po gënjejnë veten. Nëse frenat i merr një qeveri teknokrate, ajo do ta lërë presidencën politikisht të vdekur, edhe nëse çekët Bashkimi Evropian vazhdon të çudisë të huajt me bollëkun e presidentëve.

Në mesin e një krize botërore, 26 qeveritë e tjera nuk do të lejojnë që axhendën ta bëjnë burokratët. A e ka përgjigjen presidenti me kohë të plotë i Traktatit të Lisbonës? Ai do të eliminonte aspektet "Mirë se erdhët në Liliput" të BE-së, që lodhin vizitorë si Obama, sidomos nevoja për të ndarë një platformë me tre përfaqësues evropianë. Por, mendoni pak tri kërkesat e mëdha që Obama bëri gjatë turit të tij evropian: më shumë ndihmë në Afganistan; më shumë stimul fiskal; dhe që Evropa të bëhet më serioze për sigurinë e energjisë (domethënë blini më shumë gaz jo rus). Pothuajse asgjë nuk u ofrua për të parën dhe të tretën, dhe konkluzionet e G20-s përfshinë në fakt disa fjalë për vonesat transatlantike sa u përket planeve të stimulimit dhe rregullave financiare. Obama mori një qortim publik nga Sarkozy për faktin që mbështeti fuqimisht anëtarësimin e Turqisë në BE, gjë që presidenti francez e kundërshton. Imagjinoni sikur Evropa të kishte një president (le të themi Tony Blair) në vend të Topolanek. Sa shumë ndryshim do të kishte? Një president Blair mund të jetë në gjendje të sjellë më shumë unitet në BE në lidhje me furnizimin me gaz. Por, ai vështirë se do të mund të detyronte qeveritë të pranonin Turqinë, të dërgonin trupa në Afganistan apo të ndryshonin pikëpamjet e tyre mbi kapitalizmin financiar. Gjatë samitit të NATO-s në Strasburg, Obama bëri një vëzhgim të mprehtë. Në "negociatat e marrëveshjet e pafundme" si dhe ndjekja konstante e interesave të ndryshme, ndërveprimi politik në Evropë "nuk është edhe aq i ndryshëm nga Senati i SHBA-së", tha ai. Teksa presidenca çeke hyn në fundin e saj, prisni më shumë njerëz të argumentojnë se një president me kohë të plotë mund të shpëtojë Evropën. Por, duhet të jeni skeptikë. Mosmarrëveshjet e brendshme në BE nuk do të zhduken për shkak se një figurë e fuqishme do të drejtojë takimet e liderëve. Sarkozy, një udhëheqës dinamik, mund të mbahet mend me kënaqësi sot, por shumë qeveri u ndien të çliruara kur përfundoi presidenca e tij. Me Sarkozy-në në drejtim, perspektiva e një Evrope me dy shpejtësi ishte shumë e mërzitshme për shijet e shumë njerëzve. Është e njëjta gjë edhe jashtë. Liderët evropianë dhe amerikanë nuk bien dakord sepse, për disa çështje nuk janë dakord e jo për shkak të mënyrës se si i organizojnë samitet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›