Panairi i poçarisë zbret në Korçë
Artizanati dhe tradita e punimit të enëve prej balte janë bërë pjesë e një panairi në qytetin e Korçës. Përtej simbolikës dhe nxitjes së artizanatit me prezantimin e objekteve të ndryshme, ky panair përkon dhe me festën e Pashkës ortodokse, që festohet masivisht në këtë qytet. Panairi i përvitshëm i poçerisë ka shitjet më të shumta ditën e enjte kur besimtarët marrin objekte të punuara në baltë, si pjesë e traditës fetare. Në sheshin para katedrales ku është vendosur ky panair poçerie, gjenden tendat dhe këndet e posaçme me rrethime druri dhe zbukurime me rastin e festës. Korça njihet për traditën e hershme në punimin e objekteve të poçerisë, prej qeramike dhe balte, e cila është ruajtur deri në ditët e sotme. Nga ana e Bashkisë së Korçës, që është edhe organizatore e panairit, janë vendosur lehtësira fiskale për artizanët e poçerisë me taksë regjistrimi zero për të favorizuar më tej zhvillimin e këtij sektori. Panairi vjen në Korçë në vitin e dytë të organizimit në përmasa të mëdha dhe me ngritjen e strukturave të përshtatshme për ekspozimin dhe tregtimin e këtyre objekteve. Sipas Bashkisë së Korçës, panairi i poçerisë synohet të kthehet në një traditë qytetare me organizime të përvitshme. Aktiviteti organizohet çdo vit për Pashkët ortodokse dhe ka një kuptim simbolik për besimtarët, të cilët sipas zakonit fetar duhet të marrin enë të punuara në baltë për t‘i vendosur në shtëpitë e tyre. Por nga ana tjetër, nëpërmjet ekspozimit të këtyre objekteve, stimulohet më tej artizanati, ku krahas tregtarëve marrin pjesë edhe skulptorë dhe njerëz që ende e kultivojnë këtë pjesë të traditës. Panairi i poçerisë do të qëndrojë i hapur në sheshin kryesor të qytetit të Korçës deri më datën 18 Prill.