E Diel, 1 Nëntor 2026

Një komedi për emigracionin në Vlorë

"Krushqit nga Vlora" është komedia më e re e vënë në skenë nga trupa e teatrit Petro Marko të Vlorës. Skenari i Papathanisiu dhe Repas sjell ngjarje që konkretizohen në shtetin grek, por të sjella aktualisht nga regjisori Jorgaq Tushe. Ish-aktori vlonjat, dikur emigrant, ka ditur të përcjellë në mënyrë origjinale skena humori, të cilat ndërthuren mes situatash sjelljeje ndërmjet shtetasve grekë dhe atyre shqiptarë. Në situata tepër komike, skaliten personazhe, ku protagonistë bëhen emigrantë shqiptarë. Emigracioni, tema kryesore e kësaj komedie, në veçanti racizmi ndaj shqiptarëve, fenomen i cili për ironi shfaqet ende në shoqërinë greke, është sigmatizuar me mjeshtëri nga autorët. Nëpërmjet humorit, satirës, situatave komike shpërthyese dhe karaktereve të spikatur, fshikullohet dhe demaskohet me mjeshtëri artistike ky fenomen negativ. Interpretimi i aktorëve Astrit Mamaj e Desantila Kristo, Afrim Agalliu, Eljona Thomaraj e Artan Islami, është pritur mirë nga publiku. Gjithë elementët kanë pasur një shkrirje të harmonishme me skenografinë e Agron Jakupit dhe muzikën e Artur Dhamos. Shfaqja do të vijojë për katër ditë me radhë në sallën e teatrit "Petro Marko".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›