Da Vinçi mbledh turistët në kalanë e Gjirokastrës
GJIROKASTER- Punimet e Leonardo da Vinçit kanë sjellë një bum turistësh në kalanë e gurtë. Që prej çeljes së ekspozitës ku janë të prezantuara më shumë se 40 makete sipas pikturave të Da Vinçit, të cilat janë risjellë nga artisti Giuseppe Manisco, numri i vizitorëve që kanë prekur kalanë e Gjirokastrës është rritur ndjeshëm. Ekspozita është vizituar me kërshëri edhe nga shkollat e mesme e 9-vjeçare të qarkut. Gjatë një interviste, artisti që rindërtoi punimet leonardiane pohon se, “kjo ekspozitë mori zanafillën gjatë një auditori shkencor, ku entuziazmi i studentëve dhe kërshëria e njerëzve më sollën ndërmend krijimin e maketeve të cilat paraqesin një mendjehapur dhe spikatin në punime në idetë e një gjeniu të 500 vjetëve më parë”. Kjo ekspozitë, shprehet Manisco, do të udhëtojë në gjithë botën, e madje edhe në zona më të vogla. “Ky është objektivi im, që çdokush të rinjohë nga afër kulturën rilindase italiane, mbi të cilën lindi dhe u rrit kultura europiane”. Por, përtej maketeve të vogla, duket se ëndrra e Maniskos mbetet më larg se një ekspozitë, duke pohuar se projekti më i ardhshëm është krijimi i një makinerie të vërtetë me funksionin e shpikjes së Da Vinçit. “Ende nuk është përcaktuar vendi ku do të nisë krijimi i makinerisë, por sigurisht që Shqipëria është një prej këtyre vendeve që kam në mendje. Kjo, falë traditave e zonave historike që mbart. Tashmë kalaja shekullore sjell për vizitorët edhe një pjesë të historisë italiane e ndërthurja mes tyre nuk mund të jetë gjë tjetër veçse miqësia mes dy vendeve”, - pohon Mascino teksa vizitorët e shumtë e rrethojnë, duke kërkuar sa më shumë shpjegime mbi maketet e Da Vinçit. “Duket se sjellja e një muzeumi të mirëfilltë është një shkas për rritjen e vizitorëve dhe gjallërinë që merr objekti shekullor siç është kalaja”, - kështu është shprehur drejtoresha Teuta Kallajxhi. Ajo thotë se vetëm përgjatë ditëve të fundit, numri i vizitorëve ka arritur një ‘bum’ të vërtetë duke regjistruar rreth 300 vizitorë në ditë.
(GSH/balkanWeb)
(GSH/balkanWeb)