E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket pa lënë gjurmë vajza 6-vjeçare

Kukës E mitura nga Zapodi kishte dalë për të kullotur lopët

Zhduket në mënyrë misterioze një vajzë 6-vjeçare nga fshati Zapod i rrethit të Kukësit. E mitura ka humbur që prej dy ditësh dhe me gjithë kërkimet e policisë, ende nuk ka asnjë shenjë prej saj. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se vajza me inicialet B.M. ka humbur rreth orës 17.00 të së shtunës në afërsi të fshatit, teksa ruante lopët bashkë me dy-tre fëmijë të tjerë. Fëmijët e tjerë janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërsa vogëlushja 6-vjeçare B.M. nuk ka shkuar në shtëpi dhe nuk dihet asgjë për fatin e saj. Kanë qenë vetë prindërit e vajzës së humbur që kanë denoncuar të shtunën në Policinë e Kukësit për humbjen e së bijës, pasi, siç kanë treguar vetë ata, e kishin kërkuar dy orë rresht nëpër mal dhe nuk e kishin gjetur. Edhe burime të komunës tregojnë se vajza e vogël e familjes Mata në Zapod ka humbur pa gjurmë. Drejtues të komunës kanë thënë se në mbrëmjen e së shtunës vajza e vogël është kërkuar nga i gjithë fshati, ndërsa në operacionin e kërkimit të së dielës kanë marrë pjesë banorët e katër fshatrave të komunës, por pa mundur të gjejnë gjurmë të saj. Ndërkaq, forcat e policisë, siç tha nëndrejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Xhafer Elezi, kanë krehur të gjithë zonën, por nuk kanë mundur të bien në gjurmë të vajzës. “Kemi kontrolluar në të gjithë zonën e fshatit ku banon familja e vajzës së humbur, kemi kontrolluar deri në kufirin me Kosovën që është më shumë se 6 km larg. Kemi kërkuar në të gjithë përrenjtë dhe shpellat, por nuk kemi rënë në gjurmë”, tha Elezi, duke shtuar se kërkimi do të vazhdonte. Vajza e vogël, siç tregojnë burime nga fshati Zapod, ka qenë duke ruajtur lopët në malin afër fshatit, jo larg shtëpisë. E mitura ka qenë e shoqëruar nga bashkëmoshatarët e saj, të cilët kur janë pyetur për shoqen e tyre, kanë thënë se e kanë lënë prapa dhe se nuk dinin asgjë për të. E gjithë zona është alarmuar për humbjen e vajzës së vogël, për të cilën edhe policia ende nuk ka asnjë variant të mundshëm të fatit të saj. “Asgjë nuk dihet, përderisa nuk kemi gjurmë. Asgjë nuk mund të themi me siguri për vajzën e vogël të humbur”, tha një efektiv i policisë, që merrte pjesë në kërkim. Kërkimet kanë vijuar edhe deri lart në bjeshkë, ku mund të dyshohet ta kenë masakruar egërsirat apo edhe deri poshtë fshatrave në lum[. Ngjarja e vajzës së humbur të Zapodit përbën një rast të dhimbshëm dhe të rrallë në këtë zonë. 6 muaj më parë një 17-vjeçare nga fshati Ujmisht i Kukësit humbi gjithashtu pa gjurmë. Për shumë ditë u besua se vajza ishte mbytur në ujë, pasi në breg të Drinit të Zi pak km larg shtëpisë u gjetën sandalet që familjarët i njohën që ishin të saj, por ende pas shumë kërkimesh trupi i vajzës dhe asnjë shenjë e saj nuk është gjetur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›