Fier, Drejtoria e Rrugëve ka fonde vetëm për një aks
Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve në Fier nuk arrin të realizojë shumë projekte të parashikuara për këtë vit. Shumë shpejt me të vetmin fond që ka siguruar nga qeveria, kjo drejtori do të kryejë rikonstruksionin e rrugës Fier-Berat dhe asnjë aks tjetër nuk do të përballet me investime. Mësohet zyrtarisht prej drejtorit të mirëmbajtjes rruga Fier, Moxart çela, se këtë vit ka fonde vetëm për mbushjen e gropave të rrugës nacionale Fier-Berat, ndërkohë që akset e tjera rrugore do të mbeten pa investime. Punimet për riparimet e rrugës kanë nisur që nga tetori i vitit të kaluar, por u ndërprenë për mungesë fondesh. Në tetor u ndërhy në disa metra, ndërkohë që pritet që shumë shpejt do të mbushen gropat e 220 metrave për të vijuar në të gjithë gjatësinë e rrugës nga Kthesa e Patosit deri në Kutalli. Projekti i muajit tetor, që u ndërpre ende pa nisur, është miratuar një vit më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve nuk mori fondet e Ministrisë së Transporteve. “Më problematik për ne mbetet aksi rrugor Kthesa e Patosit-Kutalli. Nisëm një herë në tetor punimet, por i ndërpremë. Tashmë jemi në fazën e fillimit të rindërhyrjes në këtë aks. Brenda disa javësh rruga drejt Beratit do të jetë më e përmirësuar”, ka thënë drejtori Moxart çela. Më tej ai ka shpjeguar se ndërhyrja do të nisë në zonën e Zharrzës, Strumit dhe në afërsi të Verbasit. Në Zharrëz, një gjatësi prej 1.2 km paraqet kushte mjaft të rënda. Gropat dhe tabani i rrugës së mëparshme kanë dalë. Kjo rrugë është kthyer në një stres më vete për drejtuesit e makinave. Më të papërballueshme situatën e kanë drejtuesit e makinave të zonës. “Po bëjmë servis makinat një herë në javë. Kemi vite kështu në këtë mënyrë. Duhet shteti të ndërhyjë në këtë rrugë”, ankohen banorët. E ndërsa për rrugën drejt Beratit, gjithçka është në fazën e realizimit, shumë rrugë të tjera mbeten pa investime. Rrugë tjetër shumë problematike është edhe ajo në drejtim të Vlorës. Ky aks është në mëshirë të fatit, edhe pse gjatë stinës së verës do të jetë më i përdorshëm në këtë verë. Sipas drejtorit të Drejtorisë Mirëmbajtje Rruga Fier kjo rrugë pak muaj më parë është riveshur, por sërish ka nevojë për ndërhyrje, pasi e mëparshmja nuk ka qenë jetëgjatë.
#