Komuna Dërmënas, 1 milion lekë për sezonin turistik
Plazhi i Darëzezës po përgatitet për sezonin turistik. Kryetari i Komunës Dërmënas që administron këtë zonë, pohon se është vendosur që të akordohet një shumë prej 1 milion lekësh për marrjen e masave për pritjen e pushuesve. “Fondi prej 1 milion lekësh u parashikua që në ndërtimin e projektbuxhetit për këtë vit. Me miratimin e buxhetit, kjo shumë tashmë është në fazën e finalizimit të përdorimit të saj. është shumë e vogël përballë kërkesave të shumta që kërkon zona, por do të mundësojë realizimin e nevojave më të domosdoshme”, ka thënë kryekomunari Fadil Selaci. Më tej ai ka shpjeguar se rruga për në plazh është rregulluar ndryshe nga një vit më parë. Rruga ka njohur jo vetëm ndryshim në infrastrukturë, por edhe në ndriçim. Fondi i akorduar për këtë vit do të përdoret kryesisht për pastrimin e vijës bregdetare, si dhe për vendosjen e tualeteve portative në plazh. është menduar që të formohet edhe një brigadë punëtorësh që të pastrojë përgjatë gjithë ditëve të sezonit turistik vijën bregdetare. Akoma kjo praktikë nuk ka nisur, por shpresohet që në muajin qershor të nisë një nismë e tillë. Edhe plazhet e tjera të Qarkut Fier paraqesin kushte jo të favorshme për një turizëm të dëshiruar.
#