E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gashi: SHIK-u ka bashkëpunuar edhe me Rugovën

Nga Express më 29 prill 2011 në ora 09:41

Ish-drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Informativ të Kosovës, Latif Gashi, për herë të parë ka vendosur të flasë publikisht për organizatën në të cilin ka punuar gati një dekadë.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, e cila vjen në kohën kur në Kuvendin e Kosovës është iniciuar një nismë për hetimin e SHIK-ut, ai ka theksuar se pjesëtarët e këtij shërbimi, jo vetëm se nuk kanë vepruar në ilegalitet, por kanë funksionuar në koordinim me të gjithë faktorët përgjegjës për sigurinë në Kosovë.

Njeriu i tretë në hierarkinë e SHIK-ut ka mohuar që gjatë punës shumëvjeçare të këtij shërbimi të jenë krijuar dosje, ashtu siç e ka përjashtuar çdo mundësi që ky shërbim të jetë financuar prej ndonjë subjekti të caktuar politik, përfshirë PDK-në.

Gashi, që aktualisht është deputet i PDK-së, ka deklaruar se zyrtarët e SHIK-ut kanë bashkëpunuar me përfaqësuesit më të lartë të shtetit, ndonëse e ka pranuar se nuk kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta as me ish-presidentin Ibrahim Rugova e as me Fatmir Sejdiun.

Megjithatë, ai ka rikujtuar se SHIK-u ka pasur bashkëpunim të mirë me njerëz të tjerë që kanë qenë të angazhuar në çështjet e sigurisë e të cilët kanë qenë të deleguar nga dy presidentët e parë të Kosovës. Ai ka thënë se rregullisht një përfaqësues i SHIK-ut i ka raportuar liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

SHIK-u, sipas tij, e ka përmbyllur aktivitetin e vet në mënyrë zyrtare duke i dorëzuar edhe çelësat e zyrës në Qeveri të Kosovës.

Ai ka njoftuar se bashkë me katër kolegët që kanë punuar në SHIK e që tani janë deputetë të PDK-së, e kanë mbështetur nismën për krijimin e një komisioni parlamentar, i cili do ta hetonte veprimtarinë e SHIK-ut, pasi janë të sigurt se kur të zbulohet e vërteta për këtë shërbim, do të ketë njerëz që do të vrapojnë për të thënë se edhe ata kanë qenë pjesëtarë të SHIK-ut, raporton KD.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›