Vushtrri, helmohen 23 persona

Njëzetetre persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në repartin e emergjencës në Vushtrri, pasi të njëjtit vuanin simptome të ngjashme të helmimit nga ushqimi i konsumuar.
Rasti është raportuar rreth orës 17:40 min, ndërsa Policia e Kosovës në Vushtrri, ishte informuar nga një banor i fshatit Vilanc të Vushtrrisë, për situatën e krijuar.
Në vend ngjarje janë ftuar edhe njësitë ambulatore të spitalit të Vushtrrisë, të cilët kanë bërë transportin e personave me simptome të helmimit.
Gjithsej; 18 femra dhe 5 meshkuj, kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë ekzaminuar në spitalin e Vushtrrisë derisa njëri nga ta, është transportuar në QKUK Prishtinë për trajtim të mëtejmë.
Hetuesit policor të drejtorisë rajonale të Policisë në Mitrovicë, së bashku me prokurorin publik, të cilët ishin në vend të ngjarjes, kanë kuptuar se dyshimet preliminare nga helmimi i mundshëm, mund të ketë ardhur si rezultat i konsumimit të ushqimit të përgatitur në një gjellëtore të qytetit në Vushtrri.
Policia është njoftuar nga banorët e fshatit Vilanc për situatën e dyshuar të krijuar, pasi në një shtëpi të këtij fshati kishte një mbledhim familjar ndërsa ushqimi i konsumuar ishte përgatitur në njërën nga gjellëtoret në qytetin e Vushtrrisë.
Veç njësive përkatëse policore, në vend ngjarje janë ftuar edhe inspektorët fito sanitar dhe epidemiologu nga instituti rajonal i shëndetësisë publike në Mitrovicë.
Mostrat e ushqimit për ekzaminim të mëtejmë, janë marrë nga zyrtari përgjegjës i institutit rajonal të shëndetësisë ndërsa pronari i gjellëtores është shoqëruar në stacionin policor për deponim të deklaratës.
Me propozim të prokurorit publik, rasti është iniciuar si vepër penale “Ndotja e artikujve ushqimorë të destinuar për përdorim për njerëz apo për kafshë” të paraparë sipas nenit 227 të Kodit Penal të Kosovës, njofton policia nëpërmes një komunikate shtypi.