E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rücker e liroi para kohe Sami Lushtakun

Nga Express më 29 prill 2011 në ora 10:20

Sami Lushtaku shkon çdo mëngjes në zyrën e kryetarit të Skenderajt, me siguri duke falënderuar përjetë Joachim Rückerin për lirinë që e gëzoi para kohe dhe që ia mundësoi rikandidimin atje.

Ka qenë ish-shefi gjerman i UNMIK-ut ai e ka penguar zbatimin e dënimit prej 5 dhe 6 muajsh, pra gjithsej 11 muaj ndaj kryetarit të Skenderajt.

Ai ka marrë një vendim ekzekutiv për të pamundësuar hyrjen në fuqi të aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, që e kishte revokuar pezullimin e dënimit prej 11 muajsh burgim për të, duke e ditur se mbajtja e dënimit për më shumë se 6 muaj ia pamundësonte mbajtjen e postit të të parit të Skenderajt. Në këtë vendim që e ka siguruar KTV-ja, Rücker thotë: “Duke marrë parasysh se pamundësia e ushtrimit të detyrës së kryetarit nga Lushtaku do të ishte e ndjeshmërisë së lartë politike dhe në kundërshtim me interesin publik; Duke marrë parasysh se dënimi i mundëson Lushtakut të ankohet; Duke marrë parasysh se ankesa sipas Procedurës Penale të Kosovës nuk e pezullon hyrjen në fuqi të dënimit; Me qëllim të shtyrjes së përkohshme të plotfuqishmërisë dhe të efekteve juridike, në pritje të parashtrimit të ankesës, PSSP-ja merr vendimin si vijon: Përjashtimisht, dhe duke marrë parasysh pozitën e zotit Lushtaku si Kryetar i zgjedhur dhe duke i marrë parasysh rrethanat e veçanta në të cilat gjendet Kosova në këtë kohë, ankesa e zotit Lushtaku kundër aktgjykimit të datës 4 qershor 2008 të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë përkohësisht do ta pezullojë hyrjen në fuqi të dënimit, derisa të mos jetë vendosur për vetë ankesën.

Vendimi është nënshkruar më 14 qershor 2008, vetëm një ditë para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe pak kohë (tre muaj) pasi që ajo ishte miratuar në Kuvend. Trajtimi jo i barabartë para ligjit i Sami Lushtakut ka bërë që ai të vazhdojë punën si kryetar i Skenderajt. Nëse do të mbante dënimin prej 11 muajsh, siç kishte vendosur Gjykata e Qarkut, atij do t’i ndërpritej menjëherë mandati dhe Skenderaj do të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kohavision ka kontaktuar Lushtakun për të marrë një koment.

Me telefon, ai fillimisht ka thënë se nuk ekziston një dokument i tillë, e më pas se nuk dëshiron të flasë për KTV-në. Lushtaku u akuzua për pengimin e një gjyqtari në realizimin e punës në terren dhe më pas kërcënimin e tij. Edhe dy kryetarë komunash të PDK-së janë të dënuar, e nuk e mbajnë burgun. Bajrush Xhemajli i Ferizajt e Xhabir Zharku i Kaçanikut janë ankuar ndaj aktgjykimeve dënuese të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë. (kd)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›