Sqarohet me Rexhepin
Andy Sparkes e mbajti fjalën. Në kohë rekord ai ka takuar Bajram Rexhepin. Pak orë pasi në një konferencë për gazetarë zëvendësshef i EULEX-it u shfaq skajshmërisht i nervozuar shkaku i deklaratave të Rexhepit për misionin, ai e ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të mërkurën mbrëma.
Takimin Sparkes-Rexhepi e kanë konfirmuar për Express zyrtarë të EULEX’it. Ata, pa dashur të japin ndonjë përgjigje të prerë, megjithatë e pranojnë se një nga çështjet që është diskutuar kanë qenë edhe deklaratat e Rexhepit.
Duke u arsyetuar se nuk e dinë vendin e takimit dhe as orën, zyrtarët e këtij misioni megjithatë e pranojnë se ata kanë biseduar “si zakonisht për shumë çështje dhe se takimi ishte rutinor”.
Ndërkohë, gjatë ditës së enjte, ministri Rexhepi ka provuar të qëndrojë larg medieve dhe të mos i rikomentojë deklaratat e tij.
I kontaktuar nga Express disa herë, madje edhe në hollin e Kuvendit të Kosovës, Rexhepi nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij. “Nuk heq as pikë as presje nga ajo që kam thënë”, tha ai për Express.
Është hera e dytë që ministri Rexhepi përplaset me EULEX’in. Në korrik të vitit të kaluar, ai kishte deklaruar se institucionet e vendit kanë kapacitete vetjake që në rast ngurrimit të EULEX-it, t’i dërgojnë vetë njësitet speciale policore në veri të vendit dhe për këtë nuk kanë nevojë që të bëjnë marrëveshje me misionin evropian. Një deklaratë e tillë pati ndezur një zinxhir reagimesh. Përveç EULEX-it, kishte reaguar edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, i cili veprimin e Rexhepit e kishte cilësuar “kërcënim të hapur me luftë”.
Skandali ‘Leo’
EULEX’i vazhdon të mos jep shumë sqarime lidhur me skandalin që i ka plasur brenda. Sipas televizionit Klan Kosova, tre zyrtarë të EULEX-it janë duke u hetuar nga vetë ky mision për keqtrajtim të nëpunësve shqiptarë. Sipas dëshmive, tre pjesëtarët e EULEX-it kanë keqtrajtuar sistematikisht shqiptarët që punojnë në këtë mision në bazë fetare dhe etnike. Një nëpunësi shqiptar nuk i është lejuar të shkojë në tualet për të urinuar dhe është detyruar të urinojë në shishe. Ndërsa një nëpunësi shqiptar i është thyer krahu nga një pjesëtar i EULEX-it. Madje, siç raportoi Klan Kosova, mësohet se Stefan Loren, i njohur me nofkën Leo, i cili tashmë është suspenduar nga puna, u ka “shpërndarë” shuplaka shqiptarëve. Lidhur me këto raste, Andy Sparkes ka thënë se fajin e ka dikush në këtë mision që ka njoftuar mediet, ngase “dikush”, sipas tij, po do që të krijohet imazh i keq për këtë mision. Të kontaktuar të enjten nga Express, zyrtarët e misionit kanë thënë se akuzat janë marrë shumë seriozisht.
”Ne kemi nisur një hetim të brendshëm nga një panel disiplinor. Të gjitha procedurat normale dhe korrekte për hetim janë ndjekur”, janë shprehur ata.
Sipas tyre, hetimi ka përfunduar dhe vendimet ndërkohë janë marrë, por presin të drejtën për ankesë. “Periudha e apelit do të përfundojë javën e ardhshme”, thonë zyrtarët e EULEX’it për Express, duke sqaruar se pjesëtarët e stafit lokal janë duke punuar në pozita të tjera.
KMDLNJ kritikon EULEX’in
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka shprehur brengën për sjelljen e zyrtarëve të EULEX-it në Kosovë. Duke kujtuar se zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparks, të mërkurën kërkoi nga mediet që të mos raportojnë negativisht për EULEX-in, KMDLNJ konsideron se kjo i bie se mediet nuk duhet raportojnë për shkeljet e ligjit apo dështimet në zbatimin e ligjit nga ana e këtij misioni. “KMDLNj mendon se një kërkesë e këtillë është e papranueshme dhe bie ndesh me lirinë e shprehjes, lirinë e informimit të pavarur dhe objektiv, si dhe mund të merret si presion mbi mediet, elektronike dhe të shkruara”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate. “Mediet duhet të raportojnë për të gjitha sjelljet, veprimet dhe punën brenda dhe jashtë misionit të EULEX-it”.
Hetimi ndaj Limajt s’ka përfunduar
Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes, ka deklaruar të enjten në Mitrovicë se hetimi ndaj ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, ende nuk ka përfunduar. “Ekziston edhe urdhër-arresti për vepra tjera, mirëpo ende nuk është vërtetuar nëse ai ka imunitet ndaj tyre apo jo”, ka thënë ai. Sparkes ka thënë, po ashtu, se kthimi i të gjithë gjykatësve në veri të Mitrovicës është jashtëzakonisht me rëndësi. Sipas tij, gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it janë kthyer në këtë gjykatë.