Daci: Liderët e Kosovës janë të shantazhuar
Udhëheqësia e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, e cila parti nuk mundi të kalojë pragun në zgjedhjet e fundit, ka nisur të mbajë aktivitete me militantë partiakë nëpër Kosovë.
Kryetari Nexhat Daci ka mbajtur sot një tubim me aktivistë dhe simpatizantë të LDD-së në qytetin e Pejës.
Nga aty, Daci e ka rikujtuar historinë e dështimit të LDD’së. Ai pretendon se e ka
gjetur fajtorin e dështimit në zgjedhje.
“Të tjerët me çdo kusht luftuan që LDD të mos jetë pjesë e Kuvendit për të mos ua prishur rahatinë për ta plaçkitur Kosovën, edhe vendorëve edhe ndërkombëtarëve; të mos respektohet fare integriteti territorial i vendit, të mos funksionalizohen doganat, të mos respektohet kushtetuta. Pjesa dërrmuese e udhëheqësisë së Kosovës është e shantazhuar”, ka thënë Daci.
Sipas vlerësimeve të akademikut, Kosova është i vetmi vend në botë në geto të plotë.
“Edhe shtetasit e Aftanistanit e Irakut kanë mundësi më të mëdha lëvizjeje sesa kosovarët. Jemi vendi më i varfër në Evropë dhe i 171 në botë. Njerëzit që mendojnë ndryshe shukatën ose eliminohen në forma të ndryshme”, ka shtuar Daci.