Shqiptarët pa qasje në fondet e BE-së

Shqiptarët në Maqedoni në masë të vogël shfrytëzojnë fondet evropiane.
Mungesa e informimit si dhe trajnimeve se si të aplikohet dhe realizohet një projekt për IPA fonde apo fondet bujqësore IPARD, ka bërë që shqiptarët të jenë larg këtij realiteti.
Abdulla M (45), është një bujk nga zona e Likovës, i cili rrëfen se nuk ka lidhje me fondet që i jep Evropa.
"Unë dëgjojë në lajme se del konkursi apo shpallja për bujqit për të marrë para apo ndihmë, por s`kam lidhje se si bëhet kjo punë. Askush nuk ka ardhur në komunën tonë me na tregu se si bëhet kjo punë. Le të vijnë të na sqarojnë se çka duhet, e pse edhe ne mos të marrim para", ka theksuar bujku likovas.
Por, edhe shoqatat joqeveritare bëjnë të ditur se kanë vështirësi për të realizuar ndonjë projekt për të tërhequr para nga fondet evropiane.
Në Republikën e Maqedonisë deri tani janë harxhuar rreth 100 milionë euro mjete nga fondet IPA, e kjo shumë me siguri do të rritet edhe deri 120 milionë, informoi Bart Staes, lider i delegacionit të komitetit për kontroll buxhetor të Parlamentit Evropian, pas vizitës në vend.