Daci: Zgjedhjet, faqja e zezë e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit ishin “faqja e zezë e Kosovës”.
Ai i bëri këto komente në takimin e sotëm të rregullt të Kryesisë së LDD-së, me kryetar të degëve, ku përveç tjerash u trajtua tema e procesit zgjedhor të 12 dhjetorit dhe procesi i rivotimit më 9 janar si dhe situata politike në vend pas zgjedhjeve të kontestuara.
“Kryesia e LDD-së dhe kryetarët e degëve edhe në takimin e sotëm kunfirmuan vazhdimësinë e vizionit dhe politikave të LDD-së pro shtetit kushtetues dhe interesave shtetërore. Kryesia e LDD-së i bën me dije anëtarësisë së gjerë se në afatin sa më të shkurtë kohor do të dal me analizën e procesit zgjedhor të zgjedhjeve nacionale 2010”, thuhet në një kumtesë të LDD-së.
“Përfaqësuesit e degëve edhe me këtë rast u zotuan për të punuar në realizimin e konceptit politik dhe vizionit të LDD-së, duke vlerësuar se pavarësisht procesit të manipuluar zgjedhor dhe rezultatit të këtij procesi LDD mbetet parti me vizion të qëndrueshëm në mbrojtje të interesave shtetërore dhe synimeve demokratike të qytetarëve të Kosovës”, thuhej më tej në kumtesën e LDD-së.