Topi: Jo bisedime njëherë

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, pret që Kosova t’i formojë sa më shpejt të gjitha institucionet që dalin nga zgjedhjet e përgjithshme. Ai ka thënë se nuk i përkrah bisedimet Prishtinë-Beograd, derisa nuk qartësohet raporti i Dick Martyt, “i cili në bashkëpunim me qarqet serbe ka si qëllim të barazojë viktimën me xhelatin”.
I pyetur se a do të ndikojë raporti i raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Marty, i cili akuzoi kryeministrin Hashim Thaçi dhe ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh të serbëve të zënë rob gjatë luftës në Kosovë, presidenti Topi në një intervistë për Alsat ka thënë se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të jenë tërësisht të karakterit teknik dhe ato, në mënyrën më absolute, nuk do të venë asnjëherë në dyshim sovranitetin territorial të Kosovës.
“Sigurisht që ka dëmtuar klimën, por askush nuk mund të dëmtojë zemrën e perspektivës së shtetit të ri të Kosovës… Fillimisht (duhet) të qartësohen faktet që ai hedh, të cilat janë inekzistente, pastaj të futen në bisedime, sepse kjo ka qenë një politikë shumë e rafinuar e qarqeve serbe për të barazuar viktimën me xhelatin”, është shprehur Topi.
Sipas tij, populli i Kosovës është martir, viktimë e gjenocidit serb. “Janë raste të dokumentuara, të filmuara që qarkullojnë në të gjitha mediat ndërkombëtare. Tentativa për të barazuar, për të bërë të barabartë xhelatin me viktimën, është një tentativë, e cila nuk shkon sot në vitet 2010-2011. Kjo është arsyeja që këto gjëra duhet të sqarohen, por sot, ju e dini që bredh i lirë akoma kryexhelati, i cili ishte në simbiozë me Miloshevicin: Mladici. Për të mbuluar të gjithë këtë situatë, për ta bërë klimën të barabartë sajohen gjithë këto gjëra”, ka shtuar Topi.
Ai konsideron se agjenturat, të cilat kanë punuar kundër interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, kanë tentuar të rekrutojnë edhe individë si dëshmitarë të rremë dhe, praktikisht, të gjitha këto skema kanë dështuar.
“Ne do të vazhdojmë të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë nëpërmjet institucioneve specifike, për t’i qartësuar sa më shpejt këto probleme. Të njëjtën gjë kam dëgjuar edhe nga institucionet e Kosovës, të cilat vihen në dispozicion. Pra është një gjë shumë e mirë, sepse politika moderne sot kërkon që çdo gjë që thuhet duhet patjetër që të argumentohet. Dhe aty ku nuk ka argument, padyshim që edhe ky raport bie poshtë”.