Vërejtjet e ENEMO’s

Numri i madh i parregullsive gjatë zgjedhjeve parlamentare ka ndikuar dukshëm në besimin e procesit demokratik në Kosovë. Ky është konstatim i Rrjetit Evropian të Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO).
Sipas ENEMO’s, thyerja e fshehtësisë së votës nëpërmjet votimit familjar ose në grup ka qenë rregull dhe jo përjashtim në shumë vende, gjë që është raportuar nga vëzhguesit saj në 38 për qind të vendvotimeve të vizituara në rivotimin e 9 janarit.
“Këto shkelje serioze të procedurës duket se janë pranuar dhe nuk kishte përpjekje nga personeli i vendvotimeve për ndalimin e sjelljes së parregullt zgjedhore. Incidentet e ngjashme dhe pretendimet për veprime mashtruese në zgjedhjet e 12 dhjetorit japin pasqyrë të zymtë për ardhmërinë e proceseve demokratike në Kosovë”, thuhet në raportin e ENEMO’s.
Më tej, rastet e frikësimit dhe presionit mbi vëzhguesit vendas janë raportuar në ENEMO, duke iu shtuar dobësive tjera gjatë procesit. “Pas procesit zgjedhor të 12 dhjetorit 2010, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka përcjellë mbi 100 ankesa në prokurori për hetim të mëtejshëm. Për ta rritur nivelin e besimit në këtë proces, ENEMO i nxit autoritetet që ta sigurojnë hetimin për të gjitha rastet e lidhura me mashtrimet zgjedhore, duke i ndjekur dhe kërkuar përgjegjësi në kohën e duhur nga ata që kanë kryer vepra të këtilla. Për ta ndryshuar kuptimin e mosndëshkimit të mashtrimeve zgjedhore, është me rëndësi qenësore që të gjitha rastet e 12 dhjetorit 2010, si dhe rastet e mbetura të vitit 2007 dhe 2009 të trajtohen në mënyrë efikase dhe transparente”.
Më 12 dhjetor, ENEMO ka dërguar 188 vëzhgues të zgjedhjeve nga 23 shtete në 861 vendvotime, në të gjitha komunat e Kosovës. Kurse pas vendimit të KQZ’së për përsëritjen e votimit në tri komuna dhe dy qendra tjera të votimit, ENEMO ka ridërguar tre anëtarë të ekipit kryesor dhe katër vëzhgues afatgjatë për vëzhgimin
e klimës parazgjedhore, rivotimit dhe numërimit, si dhe zhvillimeve pas-zgjedhore. Më 9 janar, shtatë ekipe vëzhguese kanë vizituar 60 vendvotime në të gjitha komunat ku është përsëritur votimi.