Daci, ofertë publike Sejdiut për koalicion

Lideri i LDD-së, Nexhat Daci i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, ku i bën ofertë për bashkëpunim dhe lidhje të koalicionit parazgjedhor, si “një alternativë e daljes nga kriza e thelluar”.
Në një konferencë për gazetarë, Daci theksoi se ky koalicion me partinë nga e cila LDD-ja doli në fund të 2006-ës, do të bëhej “duke respektuar rrugën e përbashkët që kemi pasur një kohë të gjatë”.
“LDD ka vlerësuar se është koha që të ofrojë një zgjidhje, një alternativë. Dhe sot një nga alternativat e mundshme të daljes nga kriza e thelluar është që kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiut i kam dërguar një letër, ofertë për bashkëpunim, ofertë për një koalicion parazgjedhor, konform qëndrimeve tona reale dhe duke respektuar rrugën e përbashkët që kemi pasur një kohë të gjatë. Nuk kam dashur që t’i dërgoj letër publike, por i mbetet kryetarit të LDK-së të vendosë se a dëshiron ta bëjë publike a jo, ngase nga LDD e ka atë leje. LDD-ja nuk e ka në koncept të luaj lojëra”, tha Daci, për gazetarët.
Daci, në këtë konference për media, foli për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për pakënaqësitë e shprehura dhe protestat e vazhdueshme të punëtorisë së Kosovës, në veçanti të gardianëve dhe shëndetësisë së vendit, të cilët janë paraprijës të protestave të tjera nga sindikatat të ndryshme të punëtorëve që janë paralajmëruar.
“Qëllimi është që LDD-ja dëshiron t’i ndajë preokupimet dhe brengosjen e vet, me qytetarët e Kosovës. Lirisht mundë të themi, që koalicioni qeverisës PDK-LDK i ngjan një koalicioni për interesa të thjeshta grupore dhe individuale, në një shtet të vogël dy milionë banorësh, por që e stërzgjat një proces shumë të lavdëruar zgjedhor për qeverisjen lokale, i cili gati gjysmëviti do t’i marrë Kosovës, në kohën kur sfidat që paraqiten para Kosovës janë vërtet të mëdha, serioze dhe të rrezikshme. Për tërë këtë kohë, partitë në koalicion nuk kanë pasur qëllim mbarëvajtjen e shtetit, por përkundrazi secila ka shikuar se çfarë ti bëjë njëra tjetrës, deri në momentet e gjakosjes së partnerëve për shtetin”, u shpreh kryetari i LDD-së.
Daci u shpreh i brengosur me situatën aktuale, duke theksuar se “shtyllat kryesore të shtetësisë janë në ngërç”, kur policia speciale e Kosovës, si institucioni i vlerësuar më i besueshmi dhe më i miri, shpall padëgjueshmëri dhe proteston.
“Kur elementi kyç i një populli, siç është shëndetësia vazhdimisht është në rrugë; kur ekonomia është e ngulfatur në tërësi me karantinizimet e ndryshme, siç është mosrealizimi i marrëveshjes së CEFTA-së; kur për një vit janë mbyllur më tepër se 1000 ndërmarrje, falë politikës jozhvillimore të qeverisjes, e cila i favorizon vetëm bizneset që janë politikisht të lidhura me qeverisjen; kur edhe në dy vite shtetësi, tërë kapitalin që e ka kesh Kosova, eksportohet duke i ndihmuar ekonomitë e rajonit dhe duke mos ndihmuar ekonominë vendore; atëherë shtrohet çështja se a duhet një parti parlamentare të jetë e heshtur për këto çështje”, përfundoi Daci.