Kriza Trans-atlantike

Presidenti amerikan ka dëshirë të udhëtojë dhe gjatë këtyre udhëtimeve ka rregulla të qarta: sa me thellë që hyn në pjesët qendrore të Amerikës, aq më mirë. Ai po ka paraqitje në Nashua, New Hampshire apo në Tampa, Floridë. Dhe gjithmonë bëhet fjalë për një temë: si mund të hapë Barack Obama së shpejti vende të reja të punës?
Atij i mbetet shumë pak kohë për të udhëtuar jashtë vendit - e aq më pak në Europë. Pjesëmarrja e tij e planifikuar në samitin BE-SHBA, i cili është paraparë të zhvillohet në maj, është anuluar nga Shtëpia e Bardhë. Kalendari i presidentit është “i mbushur përplot”, deklaroi përfaqësuesi i Obamës për Europë, Phil Gordon.
Më qartë nuk shkon më. Presidenti amerikan ka gjetur kohë për vizitat në Indonezi dhe Australi, vende këto të cilat do t’i vizitojë në mars. Europianët me qëndrim aq miqësor ndaj Obamës tani në të vërtetë duhet të shprehin mallëngjim për kohën e George Bushit, shkroi në mënyrë ironike gazeta Wall Street Journal. Ngase ai së paku ka vizituar të gjitha samitet vjetore SHBA-BE.
Ndërsa gazeta Washington Post shkroi:”Për dallim nga paraardhësit e tij, Obama nuk ka vendosur lidhje të ngushta personale me ndonjë udhëheqës nga Europa”.
Edhe BE-ja duket se rreshtohet në fund të listës së prioriteteve të Obamës. Dhe europianët reaguan: kryeministri i Spanjës, Jose Luis Zapatero i ka thënë një bashkëpunëtori të tij se administrata amerikane duhet të jetë e vetëdijshme se “Europa është një fuqi ekonomike dhe një aktore e rëndësishme politike”.
Megjithatë, anulimi i pjesëmarrjes së Obamës në samitin e Madridit nuk ishte një gjë e papritur. Së pari, aktualisht, për të nuk ekziston ndonjë krizë në Europë. Duke pasur parasysh rënien e popullaritetit të tij, ai është i detyruar të përqendrojë vëmendjen në problemet e brendshme. Ai aktualisht nuk ka nevojë për terminë për fotoreporterë, të cilat nuk japin rezultate.
Dhe pikërisht një gjë e tillë nuk mund të pritet nga samiti BE-SHBA. “Europianët nuk duhet të habiten. Ata samitin e kanë shndërruar në një shfaqje në vend që se bashku me amerikanët të nxisin iniciativa për temat, siç janë politika energjetike, në të cilën fushë amerikanët janë të interesuar për bashkëpunim”, thotë Anette Heuser, kryesuese e zyrës së Fondacionit Bertelsman në Washington.
Europianët janë tejet të zënë me rrëmujën protokollare. Se çfarë do të diskutohet mes amerikanëve dhe europianëve në qarqet e BE-së është një çështje dytësore. Më e rëndësishme është: kujt do t’ia shtrëngojë Obama të parit dorën? Kush do të ulet gjatë drekës pranë tij?
Herman von Rompuy, që nga dhjetori president i BE-së, ka insistuar që ta përshëndesë i pari Obamën gjatë samitit në Madrid. Bashkëpunëtorët e kryeministrit spanjoll, Zapatero, e kundërshtuan këtë. Megjithatë, Zapatero si kryesues i presidencës së rotacionit të BE-së deshi ta shfrytëzojë samitin për t’u vendosur në “qendër të universit”, deklaroi politikani spanjoll nga radhët e opozitës, Gustavo Aristegui.
Kompromisi ishte paraparë të dukej kështu: Zapateros iu mundësua ta përshëndesë i pari Obamën, ndërsa Van Rompuy ishte paraparë të ulej pranë presidentit amerikan gjatë darkës. Megjithatë, në grindje u përfshi edhe një grup tjetër. Karrigia e Van Rompuyit i takon kryetarit të Komisionit të Europës, Jose Manuel Barrosos.
Me këtë rast nuk ishte qartësuar fare se çfarë roli do të luante përfaqësuesja e re për politikë të jashtme e BE-së, Catherine Ashton.
Edhe Washingtoni nganjëherë vëzhgon me habi teket e politikanëve përtej Atlantikut. Ishte paraparë që gjërat të ndryshonin për të mirë pas miratimit të Traktatit të Lisbonës, por ka ndodhur e kundërta.
Askush në Europë nuk po dëshiron ta besojë atë që po duket qartë: zëri i Europës aktualisht nuk është duke e impresionuar askënd, as fuqitë e ardhshme, Brazilin dhe Indinë, e as udhëheqësit shtetërorë në Washington, Moskë dhe Pekin. E si t’i impresionojë? Unioni më i suksesshëm ekonomik është i përçarë në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, e gjithashtu edhe në fushën e ndryshimeve klimatike dhe të sigurisë së brendshme.
Secili shtet anëtar i BE-së e bën politikën e vet të jashtme. Kjo në veçanti duket qartazi në marrëdhëniet me SHBA-në. Britanikët mbrojnë marrëdhëniet e tyre speciale me Washingtonin, presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, vrapon për të dalë në fotografi pranë Obamës, e tani spanjollët ishin ata, të cilët synuan ta shfrytëzojnë për vete samitin me Obamën.
Aktualisht burokratët po kërkojnë një termin zëvendësues për samitin BE-SHBA-mundësisht në vjeshtë, kur Obama do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Portugali. Por, më me rëndësi është sa është kuptuar “thirrja për zgjim dërguar Europës”, siç e kanë vlerësuar vëzhguesit europianë vendimin e Obamës për të mos marrë pjesë në samit.
Reagimet e para nuk janë aq trimëruese: Zapatero udhëtoi për në Washington pas vendimit të Obamës për të mos marrë pjesë në samit. Megjithatë, ai gjatë kësaj vizite nuk ishte në gjendje të sigurojë një termin zyrtar me Obamën - për të madje nuk pati kohë as zëvendëspresidenti Joe Biden - por së paku u takua shkurtimisht me Obamën në margjina të lutjes tradicionale të mëngjesit në Shtëpinë e Bardhë.
“Europianët sot u gëzohen terminëve të mëngjesit në Washington. Por, kur bëhet fjalë për dreka dhe për darka, ata nuk janë më të pranishëm aty”, nënvizon Heuser.
(Reuters)