E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiç: “MSA-ja me BE-në përfshin edhe Kosovën”



Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim e nënshkruar mes qeverisë serbe dhe Bashkimit Europian përfshin edhe territorin e “Kosovës dhe Metohisë”. Kështu është shprehur për mediat Ivica Daçiç zv.kryeministër i Qeverisë së Serbisë. Daçiç u ka sqaruar qytetarëve serbë se MSA-ja ruan integritetin e plotë të Republikës së Serbisë. “Rëndësi ka që përmes MSA-së është e përcaktuar që Serbia ta kuptojë këtë marrëveshje si një vazhdimësi të integriteti territorial të saj, në të cilin fakt në kemi insistuar gjatë marrëveshjes së koalicionit për qeverinë serbe”,-tha ai pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste Serbe.

Rehn: “Pres bashkëpunim me Zanierin për EULEX-in në Kosovë”

Komisionari europian për Zgjerim, Oli Rehn, është shprehur se mirëpret bashkëpunimin me të dërguarin e posaçëm të sekretarit të përgjithshëm Lamberto Zanieri. Rehn e deklaroi këtë për një të përditshme të Beogradit ku theksoi se puna e të dyve do të konsistojë në arritjen e marrëveshjes së domosdoshme me qëllim të lehtësimit të sistemimit të misionit civil europian për qeverisjen e krizës në Kosovë. Rehn ka deklaruar gjithashtu se sistemimi i misionit EULEX në Kosovë po vazhdon, ndërsa Komisoni Europian mbështet raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

NATO: “Jemi të gatshëm të krijojmë FSK-në në Kosovë”

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, në takimin
dyditor në Bruksel, konfirmuan mbështetjen që do të japë Aleanca në ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. “NATO do të mbikëqyrë shpërbërjen e Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës”,-u shpreh Xhejms Apathurai, zëdhënës i NATO-s. Ai shtoi se FSK-ja do të jenë një forcë e re profesionale dhe shumetnike e cila do të jetë e armatosur lehtë.
Fillimisht, sipas zyrtarëve të NATO-s, FSK do të merret me reagime ndaj krizave, çmontimin e eksplozivëve dhe mbrojtjen civile. “Ne jemi pajtuar të zbatojmë detyrat e reja të NATO-s në Kosovë”,-u shpreh sekretari i Aleancës, Jap de Hop Shefer. “Me ketë vendim, NATO do të jetë në gjendje të ndihmojë Kosovën në përmirësimin e institucioneve të domosdoshme demokratike”,- shtoi ai. NATO është duke planifikuar mbështetjen e saj ndaj FSK-së, e cila duhet të jetë ngritur një vit që nga hyrja në fuqi e ligjit përkatës.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›