Videoklipi i ri, Makashi mbyll telenovelën e melankolisë
Petrika GROSI
Mbrëmjen e djeshme te “Kullat Binjake” në kryeqytet, këngëtari Redon Makashi i ka dhënë fund telenovelës së melankolisë. Miq të artistit, të ftuar nga fushat e medies, artit e politikës kanë qenë të pranishëm në promovimin e klipit më të fundit të Redon Makashit. Kësaj here, ai shfaqet jo më siç jemi mësuar ta shohim shpesh, me atë tipin melankolik, të trishtueshëm, gati-gati të dorëzuar. Redoni vjen energjik, më protestues, dhe pa hijen e melankolisë që e ka karakterizuar deri vonë. E pra një rikthim i ri me këngën “Përse më bëre të të urrej”, i këngëtarit të njohur, idhullit të dikurshëm e të sotëm të shumë e shumë shqiptarëve.
Sa i përket këngës, ajo është një bashkëpunim i Makashit me Bledar Seikon dhe Elton Dedën, madje është vlerësuar edhe me çmim të parë në një prej festivaleve të pranverës. Redoni shprehet për gazetën “Albania”: “E kam zgjedhur këtë këngë dhe këtë videoklip për të ardhur disi më ndryshe nga më parë, me ato këngët e qeta. Kjo këngë më ka bashkuar sërish edhe me shokun tim të fëmijërisë, Bledin, me të cilin kemi qenë dikur anëtarë të grupit ‘Jemi zemrat e çdo moshe’”. Ndërsa përsa i përket videoklipit të këngës së re të Makashit, realizimi mban emrin e agjencisë “Star Model”, e cila është njëkohësisht menaxhere artistike e kantautorit. Pamjet që ofron klipi i ri janë xhirime nga bregdeti, afër kalasë që iu dhurua Vasiliqisë nga Ali Pashë Tepelena në Porto Palermo. Përzgjedhjen e vendxhirimit e ka bërë aeronautisti Alket Islami, i cili ka sjellë dhe pamjet nga lart. Këngëtari nuk i fsheh emocionet që i ka dhuruar xhirimi i klipit dhe tashmë promovimi i tij, madje ai shton se kjo gjë, i shton dhe më tepër fuqitë e vullnetin për të ecur para dhe për të nxjerrë në një të ardhme jo fort të largët klipe të tjera. Sa i takon pjesës tjetër të stafit që përgatiti klipin, janë regjisori Spartak Papadhimitri me të birin, videokameri Erand Meça dhe stilistja Jona Muça.
15 Korrik 2008