Daçiç-Reekerit: Do të vazhdojmë bisedimet me Kosovën

I mandatuari për formimin e Qeverisë së re të Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se personalisht e kupton frikën e SHBA-së se qeveria e re, për shkak të ndryshimit të politikës, mund të sjellë destabilitet në rajon.
Daçiç ka deklaruar të martën mbrëma se SHBA-ja nuk përfshihen në formimin e qeverisë në Serbi, por është plotësisht i kuptueshëm interesimi i tyre për objektivat dhe programin mbi të cilat do të mbështetet qeveria.
“E kam njoftuar Reekerin me qëndrimet e mia dhe të partnerëve të koalicionit qeverisës se ne jemi për integrimet evropiane, se do të vazhdojmë rrugën drejtë BE-së, si dhe bisedimet me Kosovën dhe do t`i respektojmë marrëveshjet e arritura në dialog”, ka thënë Daçiç.
Ai ka thënë se e respekton qëndrimin e SHBA-së se formimi i pushtetit është çështje e brendshme e Serbisë dhe e qytetarëve që kanë votuar në zgjedhje. “Qeveria re është shans i ri, do të thosha, për integrimet më të shpejta evropiane”, ka thënë Dacic, i cili ka theksuar se partneriteti strategjik me SHBA është shumë i rëndësishëm për Serbinë.