E Diel, 1 Nëntor 2026

Dacic bëhet kryeministër?

Nga Express më 13 dhjetor 2010 në ora 20:45

Partia Demokratike (DS) është e gatshme që ta zëvendësojë kryeministrin serb, Mirko Cvetkovic, dhe në vend të tij të emërojë Ivica Dacic, pohon gazeta ‘Blic’.

Negociatat për rikonstruktimin e Qeverisë së Serbisë do të duhej të fillonin menjëherë pas zgjedhjeve brenda partiake në Partinë Demokratike (DS), ndërkohë që përmes kësaj oferte që ia bëjnë Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) demokratët synojnë të tregojnë se socialistët për ta janë partnerë strategjikë.

Këtë gjë e konfirmon edhe deklarata e presidentit serb, Boris Tadic, në kongresin zgjedhor të SPS, sipas së cilës të dy partitë “do të krijojnë ardhmërinë në dekadën që po vjen”.

Burimet e gazetës ‘Blic’ konfirmuan se Mirko Cvetkovic tash sa herë ka porositur se s’mund ta udhëheqë një qeveri në të cilën të gjithë “vrapojnë” drejtë Presidencës, kështu që është vendim i DS që këtë post duhet t’ia ofrojnë Ivica Dacic’it, meqë ai është njëri prej liderëve të koalicionit.

"Dacic e ka kalkulimin e vetë, sipas të cilit, nëse do të emërohej për kryeministër ai do të mund të llogaris në dy gjëra – në shitjen e Telekomit dhe në shitjen e MAXI’t.

Kjo e dyta është mundësi e rëndësishme, sepse kompania belge Deles, e cila po blenë zinxhirin tregtar, do të duhej t’ua paguante disa qindra milionë euro borxhe furnizuesve. E gjithë kjo do të ishte një stimulans me rëndësi për vitin e ardhshëm parazgjedhor në Serbi, sepse do të ngriste rejtingun e Dacic, si një kryeministër që sjellë mirëqenie”, i tha gazetës beogradase një burim i afërt me zhvillimet.

Lideri i SPS do ta lë në postin e ministrit të Infrastrukturës, ministrin aktual, Milutina Mrkonjic, sepse u dëshmua se ai gëzon përkrahje të madhe partiake.
Meqë aktualisht në tavolinë është edhe marrëveshja që DS të heq dorë nga pesë ministri, ndërkaq SPS dhe G17 nga tri, Dacic do të duhet të falënderojë ministrin e Arsimit, Zarko Obradovic, dhe ministrin e Energjisë, Petar Skundric.

Si pasojë, kjo do të nënkuptonte që përveç Dacic dhe Morkonjic , në koalicioni që do të udhëhiqej nga SPS këtë partia do ta përfaqësonte vetëm edhe Jovan Krkobabic, në cilësinë e zëvendëskryeministrit. Këtë të fundit s’do të mund ta lëviznin edhe për shkak të stabilitetit të koalicionit udhëheqës në Kuvendin e Serbisë.

Mirëpo, kryetari i Këshilit Politik të DS, Dragoljub Micunovic, i tha gazetës se është joreale që Dacic të zgjidhet kryeministër, sepse kjo do të shkaktonte turbulenca brenda koalicionit.

Duke e komentuar informacionin e gazetës ‘Blic’, si mysafir në emisionin Kaziprst, të televizionit B92, Micunovic tha se ky vendim do të nxiste konflikte brenda koalicionit qeverisës.

"Unë këtë për herë të parë e dëgjova mbrëmë. Mendoj se nuk është reale mundësia që vendin e kryeministrit ta fitojë një parti e vogël. Kjo do të shkaktonte konflikte brenda koalicionin qeverisës”, theksoi ai.

"Pas Koalicionit për Serbinë Evropiane më shumti mandate ka G17 Plus, andaj Dinkic do të gjendej pastaj në... do të hynim në konflikte të mëdha”, sqaroi Micunovic. Ai po ashtu nënvizoi se për DS do të ishte e pranueshme
që Dacic të emërohej kryeministër, natyrisht, nëse do të gjendej një konsensus brenda koalicionit, ndonëse kjo gjë tash për tash nuk duket reale.

"Jo për shkak të Dacic, por për shkak të raporteve të forcave në parlament”, tha Micunovic.

Skeptike ndaj kësaj ideje u shpreh edhe kryetarja e Rajoneve të bashkuara të Serbisë, Suzana Grubjesic. Ajo deklaroi se brenda koalicionit qeveritar nuk është biseduar për një rikonstruktim të qeverisë, andaj edhe nuk duhet lëshuar në këtë gjë nëse qeveria nuk do të mund të zvogëlohej dramatikisht.
Sa i përket emërimit të Dacic në postin e kryeministrit, gjatë një konference me gazetarë Grubjesic deklaroi se nuk do të donte të limitonte emra, e as nuk pret bisedime për rikonstruktim të qeverisë pas këshillit zgjedhor të DS, të caktuar për 18 dhjetor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›