Presidenca e BE nga Italia në vitin 2014, impakt shumë të rëndësishëm në integrimin e Shqipërisë
Presidenti Italian Giorgio Napolitano pret në një takim në Romë Presidentin Bujar Nishani. Të dy kryetarët e shteteve vlerësuan si shumë të shkëlqyer nivelin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërkohë që u inkurajua politika jonë e jashtme, e cila nxit normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe anëtarë të Kabinetit udhëtuan dje drejt Romës për një vizitë kortezie ku u prit në një takim në Pallatin presidencial “Quirinale” nga Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano.
Pasi shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim të ngrohtë dhe miqësor, Presidenti Nishani e falenderoi Presidentin Napolitano për kontributin që ai ka dhënë personalisht dhe të shtetit italian në momentet më kyçe të historisë modern shqiptare, në demokratizimin e Shqipërisë dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet e gjithanshme historike, politike, ekonomike dhe kulturore midis dy vendeve do të thellohen edhe më tej.
Kreu i Shtetit shqiptar evidentoi mbështetjen dhe mikpritjen që i ofroi qytetarëve shqiptarë shteti italian në momentet e një dëshpërimi të thellë pas rënies së regjimit të diktaturës dhe eksodit të shqiptarëve në Perëndim. Presidenti i Republikës vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka treguar ndaj agjendës evropiane të Shqipërisë, duke nënvizuar se Shqipëria dhe shqiptarët janë të qartë se objektivi i tyre për t’u integruar në Bashkimin Evropian është që të hyjnë në BE si kontribuues dhe jo si konsumatorë. Kreu i Shtetit theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat është tashmë përgjegjësi e klasës politike shqiptare dhe shprehu bindjen se marrja e Presidencës së radhës së BE-së nga Italia në vitin 2014 do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Duke vlerësuar ndryshimet e rëndësishme që ka përjetuar Shqipëria vitet e fundit, Presidenti Nishani vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të shumanshëm që ekziston ndërmjet dy vendeve tona në fushën ekonomike, bashkëpunimin ndërmjet policive kufitare dhe të shtetit dhe inkurajoi forcimin e bashkëpunimit bilateral duke ftuar sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri në fushën e energjetikës, turizmit, bujqësisë, etj.
Nga ana e tij, Presidenti italian Giorgio Napolitano vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet qeverive e institucioneve të tjera, duke çmuar lart edhe punën që diplomacitë e dy vendeve në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Presidenti Napolitano vlerësoi rolin që Shqipëria ka luajtur dhe luan në rajon duke nënvizuar se Italia është e interesuar që Shqipëria të luajë rolin e saj edhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë kontekst, Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të vendosura të luajnë rolin e tyre si një faktor i stabilitetit dhe paqes në Ballkan.
Dy Krerët e Shteteve ndanë mendimin se rritja e sigurisë dhe stabilitetit në rajon mund të realizohet më shpejt, nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal mes vendeve, bashkëpunimit të ngushtë, fqinjësisë së mirë, të cilat janë rruga e vetme për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Në fund të takimit Kreu i Shtetit i përcolli Presidentit Napolitano ftesën për të vizituar Shqipërinë përpara pranverës së ardhshme, kohë që përkon me fundin e mandatit të Presidentit italian.