E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet në mesnatë pika e lotos, asnjë autor

26/01/2010  U pikas nga pastruesja
KORÇE- Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë mundur të vjedhin në orët e vona të natës një lokal ku ushtrohej aktiviteti i lotarive sportive, i cili gjendet në atë pjesë të Korçës që njihet me emrin “Trekëndëshi”, disi larg nga sheshi qendror i Korçës. Nga burime zyrtare të policisë ende nuk është bërë e ditur shuma në vlerë monetare që është grabitur, ashtu sikurse nuk është dhënë asnjë version mbi autorët e mundshëm mbi këtë ngjarje. Ndërkohë mësohet se vjedhja e lokalit ishte evidentuar vetëm mëngjesin e ditës së hënë, në kohën kur pastruesja kishte shkuar atje për të filluar punën. Pikërisht në këtë çast ajo kishte vërejtur se një xham i lokalit ishte thyer, ndërsa mungonte njëri prej kompjuterëve. E gjendur në këto rrethana pastruesja kishte vënë në dijeni pronarin e lokalit, ndërsa ky i fundit policinë e Korçës, ku kjo e fundit kishte mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Mësohet gjithashtu se grupi hetimor i ngritur për këtë qëllim, ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale. Burime nga policia pohuan se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Kujtojmë me këtë rast, se gjatë kohëve të fundit në qytetin e Korçës janë bërë “pre” e grabitjes jo vetëm lotaritë sportive ku mund të gjenden sasi të mëdha parash, por edhe dyqane që tregtojë sende floriri dhe argjendi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›