Dade: Berisha po sakrifikon integrimin nga frika e zgjedhjeve
Partia Socialiste akuzoi dje Kryeministrin Berisha si pengesë për zgjidhjen e krizës politike në vend. Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade, tha dje se "kriza mund zgjidhet me kushtetutshmëri e transparencë". "Shprehim keqardhjen që përpjekjet e ndërkombëtarëve për të kontribuar në zgjidhjen e krizës u përballën me kokëfortësinë e maxhorancës qeverisëse. Të gjitha pasojat negative që kjo krizë po u sjell proceseve integruese të Shqipërisë dhe shqiptarëve kanë vetëm një përgjegjës: Sali Berishën! Kanë ekzistuar të gjitha mundësitë që kriza të zgjidhej dhe këto mundësi janë ende, duke respektuar Kushtetutën dhe transparencën, por pengesa e vetme është Sali Berisha", u shpreh Dade. Sekretarja socialiste paralajmëroi se me vazhdimin e krizës politike, liberalizimi i vizave është në rrezik. "Sali Berisha ka frikë nga transparenca. Frika nga e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit e bën atë të mos stepet edhe duke sakrifikuar integrimin europian të shqiptarëve dhe Shqipërisë, e të zvarrisë ashtu si deri më sot edhe vetë procesin e liberalizimit të vizave. Partia Socialiste dhe opozita e bashkuar do të vazhdojnë betejën për kauzën e transparencës. Rikonfirmojmë bindjen tonë se hapja e kutive dhe transparenca e zgjedhjeve janë jo vetëm kërkesa legjitime, të bazuara në Kushtetutë dhe frymën europiane, por janë e vetmja mënyrë për ta nxjerrë Shqipërinë nga spiralja e zgjedhjeve që nuk plotësojnë standardet", tha Dade. Reagimi i sekretares socialiste për marrëdhëniet me jashtë vjen pak ditë pas shqetësimit të shprehur nga dy kryetarët e grupeve më të mëdha parlamentare në PE, Doul dhe Shultz. Përmes një deklarate ata shprehën shqetësim për dështimin e negociatave mes PS dhe PD për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në vend. "Ne sinqerisht shprehim keqardhjen që Qeveria shqiptare dhe opozita nuk mundën të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe për këtë arsye nuk kanë qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshme të nevojshme për të shkuar drejt përmbushjes së ambicies europiane të vendit", thuhet në deklaratën e dy politikanëve të njohur europianë.