BE: Kriza do ndikojë për vizat
Bashkimi Europian reagon pas dështimit të negociatave të nisura nga krerët e grupeve të Parlamentit Europian, për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Kristina Gallack, zëdhë-nëse e Presidencës spanjolle tha në një intervistë për Top Channel se "jemi shumë të befasuar sinqerisht që një iniciativë e tillë, besoj se është hera e parë që dy grupet kryesore në Parlamentin Europian angazhojnë gjithë vullnetin e tyre politik, me mbështetje të plotë të Komisionit dhe Përfaqësueses së Lartë dhe që kjo iniciativë nuk u përdor, nuk hyri në punë, nuk u pranua pozitivisht nga partitë e përfshira. Për ne është e vështirë që të kuptohet kjo kur Shqipëria ka nevojë për stabilitet, kur Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës. Ndaj duhet reflektuar ndaj situatës së krijuar e duhet gjetur pa dyshim një rrugëdalje, sepse bllokimi aktual nuk çon asgjëkund", është shprehur Kristina Gallak. Ajo theksoi se kriza politike do të ndikojë në vendimmarrjen për vizat. "çështja është që pasi të analizohen të gjitha aspektet teknike, që Shqipëria kërkohet ende që t'i përmbushë për liberalizimin e vizave nga Komisioni, i cili i ka treguar qeverisë se ka disa vende ku duhet punuar në mënyrë që Komisioni vetë të bëjë propozimin përfundimtar për liberalizimin, kjo gjë do t'i kalojë për diskutim parlamentit. Tashmë është bashkëvendimarrje dhe për të dhënë vendimin e tyre europarlamentarët do të duan të dinë se cili është impakti i jetës politike në Shqipëri përpara se të ndërmarrin një vendim të rëndësishëm kompleks, shumë të rëndësishëm e pozitiv për qytetarët shqiptarë. Ndaj natyrisht që duhet punuar fort për të përmbushur plotësisht të gjitha aspektet teknike, por duhet menduar edhe për nivelin politik, duhet përparuar drejt këtij dialogu politik që për momentin është tërësisht i bllokuar", është shprehur Gallak.
Catherine Ashton
Një ditë pasi komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule i bëri apel Kryeministrit Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama për tejkalimin e situatës, reagon edhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton. Nëpërmjet zëdhënëses së saj, Maja Kocijançiç, zyrtarja e Brukselit, Ashton tha se zgjidhja e krizës duhet të sigurojë transparencën dhe të jetë në përputhje me ligjin themeltar të shtetit. "Në mënyrë që të gjendet zgjidhja ndaj këtij ngërçi politik, dhe për të çuar përpara reformat që janë të domosdoshme për Shqipërinë që të bëjë progres drejt BE-së, tashmë e ka në dorë Qeveria dhe opozita që të gjejnë zgjidhjet, në mënyrë transparente e duke respektuar Kushtetutën e vendit", tha zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic. E pyetur se çfarë pasojash do të ketë Shqipëria, nëse nuk kalon krizën politike që pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian tha se Brukseli është i shqetësuar për ngërçin politik, i cili sipas saj nuk nxit klimën e nevojshme për thellimin e reformave. "Për këtë arsye mbështetëm iniciativën lehtësuese të Parlamentit Europian, e cila na vjen keq që nuk mundi të ndihmojë për të sjellë një zgjidhje, por siç e thashë, tani varet nga Qeveria dhe opozita që të gjejnë një rrugë bashkë sesi të ecin përpara. Mesazhi ynë është i qartë: ne mbështetëm iniciativën e Parlamentit për të gjetur një zgjidhje. Tani i takon Qeverisë dhe opozitës. Nevojitet që ata të punojnë bashkë për të përparuar", theksoi Kocijancic. Deklarata e zëdhënëses së Catherine Ashton vjen pak ditë pasi në Bruksel dhe Strasburg dështuan të gjitha negociatat mes ekspertëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme. Këtë e konfirmoi dy ditë më parë edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi në Parlament. Në të njëjtën linjë me Ashton, ishte edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili nëpërmjet zëdhënëses së tij deklaroi se tani kriza duhet zgjidhur nga Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama.
Berisha: Jo krizë, por zhvillim
Kryeministri i vendit e cilësoi ekonominë shqiptare në zhvillim të vazhdueshëm dhe jo në krizë. I pranishëm në përurimin e një fabrike të riciklimit të letrës në Porto Romano të Durrësit, Berisha tha se ky investim është treguesi më i mirë i zhvillimit. "Ky investim është një dëshmi tjetër e entuziazmit të ekonomisë shqiptare, ekonomi e cila në kohën më të vështirë të krizës botërore, qëndroi, garantoi rritjen dhe përshpejton ritmet. Leksioni ynë i madh nga kjo krizë është rruga e vetme më e sigurt për t'u mbrojtur prej saj, është mbështetja e biznesit", u shpreh Berisha. Kryeministri Berisha theksoi se Qeveria shqiptare po përgatit një kuadër të ri ligjor për industrinë e letrës, plastikës dhe qelqit, ku deri tani në këtë lloj industrie janë investuar më shumë se 80 milionë euro. Fabrika e riciklimit të letrës në Porto Romano ka një kapacitet përpunues prej 70 ton mbeturina letre dhe një ekip prej 75 punëtorësh.
PS: Buxheti përkeqësohet
Deputeti socialist, Ilir Beqja, referuar të dhënave të fundit të Ministrisë së Financave tha se buxheti po përkeqësohet, ndërsa Qeveria po e zhyt ekonominë në një krizë të vazhdueshme. "Mungojnë 12,4 miliardë lekë në arkën e shtetit. Deficiti buxhetor në 5 muaj është 11,6 miliardë lekë dhe është tejkaluar me 55% nga programi i vetë Qeverisë. është rritur me 6.3 miliardë lekë vetëm në muajin maj. Për herë të parë nuk raportohet nga Ministria e Financave se sa janë shpenzimet për rrugën Durrës - Kukës", tha deputeti socialist, Ilir Beqja. Sipas tij, sot individët jetojnë më keq se një vit më parë, bizneset e vogla dhe të mëdha po falimentojnë dhe Banka Botërore deklaron se janë rritur taksat e ryshfetit dhe të kohës. "Kjo është Shqipëria nën qeverisjen e Sali Berishës në 5 muajt e parë të vitit 2010. Në panikun e krizës politike dhe ekonomike ku është vendi, Sali Berisha po bën garë me gënjeshtrën", nënvizoi Beqja.