E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Berisha të japë llogari

13/08/2009  PS akuzon kryeministrin për bashkëpunimin me krimin gjatë zgjedhjeve

“Thirrjet për tolerancë zero janë pa kuptim pas bashkëpunimit me të dënuar”

Partia Socialiste vijoi dje akuzat e saj ndaj Kryeministrit Berisha. Duke iu referuar sërish tragjedisë në qytetin e Durrësit, ku humbën jetën katër oficerë të policisë, socialistët u rikthehen sërish akuzave për kreun e ekzekutivit, i cili, sipas tyre, gjatë zgjedhjeve të 29 qershorit bashkëpunoi ngushtë me të dënuar të rrezikshmërisë së lartë. Për këtë arsye tashmë socialistët kërkojnë që Berisha të japë llogari për veprime të tilla. Këto akuza, njëherësh dhe kërkesa për kreun e qeverisë në emër të PS-së, u bënë me dije përmes një deklarate për shtyp nga deputetja socialiste Arta Dade. “Tragjedia e Durrësit është shprehja më alarmante e kalbjes së shtetit në duart e një pushteti të korruptuar e të inkriminuar. Berisha të japë llogari për bashkëpunimin me krimin gjatë zgjedhjeve dhe lirimin e dhjetëra kriminelëve nga burgjet me leje të paligjshme për të ndihmuar qeverinë në një fushatë të pashembullt presionesh ndaj opozitës”, - u shpreh Dade gjatë fjalës së saj sa i takon kësaj çështjeje. Madje, po në këtë linjë sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS nxori në pah një tjetër fakt, sipas të cilit socialistët disponojnë prova për akuzat e ngritura prej tyre në adresë të Kryeministrit Berisha. Sipas saj, këto prova tashmë janë në duart e ndërkombëtare, duke çuar në këtë mënyrë shqetësimin e tyre dhe te diplomacia e huaj. “Ne disponojmë prova dhe fakte rrëqethëse, që ua kemi bërë të ditura partnerëve ndërkombëtarë dhe do t’ua bëjmë të ditura edhe opinionit publik shqiptar për bashkëpunimin konstant të këtij pushteti me krimin”, - vuri në dukje deputetja socialiste. Por socialistët veç akuzave të tyre nxjerrin në pah dhe arsyet pse vjen një bashkëpunim i tillë. “Sali Berisha nuk mund të fshihet pas sakrificave të uniformave blu dhe thirrjet e tij për tolerancë zero janë pa asnjë kuptim pas bashkëpunimit të tij me të dënuar të rrezikshmërisë së lartë për të mbajtur një pushtet që nuk buron nga vota e lirë e popullit, por nga deformimi i plotë i saj”, - vijoi më tej deputetja socialiste.

Ndërkohë ish-ministri i Rendit Publik në kohën e qeverisjes socialiste Petro Koçi ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bujar Nishani pas masakrës së të premtes së kaluar.

Kërkesa për komision hetimor

Partia Socialiste në fillim të legjislaturës së re pritet të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ketë si qëllim zbardhjen e të gjitha procedurave që çuan në organizimin e operacionit për kapjen e Dritan Dajtit. Një kërkesë e tillë u bë e ditur nga deputeti socialist Pirro Lutaj, i cili gjatë një prononcimi për shtyp deklaroi se para se ta paraqesë këtë kërkesë në Parlament, do të kërkojë mbështetje në strukturat e partisë së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›