Dade: Dëgjoni kambanat e partnerëve ndërkombëtarë
Deputetja e PS-së, Arta Dade, i kërkoi dje qeverisë që të dëgjojë partnerët ndërkombëtarë që asistojnë në Shqipëri në lidhje me shpërndarjen e kartave të identitetit. Dade tha se çështja e identifikimit të qartë të zgjedhësve ka qenë një sfidë që e ka mbajtur peng demokracinë shqiptare që ditën e parë që ajo është përballur me zgjedhjet dhe administrimin e tyre. Sipas Dades, mjafton t‘i hedhësh një sy numrit të aplikimeve, gjeografisë së përhapjes së zyrave të aplikimit dhe mënyrës së shpërndarjes së kartave të identitetit, për të kuptuar se qeveria po luan në mënyrë të çorganizuar dhe tendencioze me këtë çështje. Është detyra e secilës palë në këtë sallë, tha Dade që të bëjë atë që i takon për të siguruar një administrim normal dhe të paqortueshëm të votave më 28 qershor. Opozita ka ofruar konsensus të plotë dhe të pakushtëzuar për reformën zgjedhore. PS-ja, tha Dade, ka qenë e angazhuar maksimalisht dhe vazhdon të jetë e angazhuar që procesi të avancojë shpejt dhe në mënyrë transparente. "Vota është një e drejtë, jo një taksë. Hiqni taksën që të fitojë e drejta më themelore e një demokracie, vota e lirë. Gjatë ditëve të fundit kemi dëgjuar nisma të ndryshme të zotit Berisha, për të ulur aty-këtu barrën financiare të familjeve shqiptare sa u përket kartave të identitetit. I themi zotit Kryeministër që ta ndërpresë këtë farsë dhe të pranojë propozimin transparent dhe të hapur të opozitës për detaksimin e kartave të identitetit", nënvizoi Dade.