E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, Rama takon 4 ambasadorë

Në prag të fillimit të fushatës elektorale dhe ngërçit që është krijuar për kartat e identitetit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje në orët e para të paradites një takim me katër ambasadorë të huaj, të akredituar në vendin tonë. Kryediplomati amerikan në Tiranë, John Withers, kreu i OSBE-së, Robert Bosch, ai i KE-së, Helmuth Lohan, si edhe ambasadorja çeke, Marketa Fialkova, u takuan me Ramën në ambientet e Bashkisë së Tiranës larg vëmendjes së medias. Burimet zyrtare nuk bënë të ditur ndonjë detaj të këtij takimi, por mësohet se objekti i bisedës mes tyre ishin zgjedhjet dhe në veçanti procesi i kartave të identitetit. Me bojkotimin e Parlamentit nga ana e opozitës, çështja e kartave ka hyrë në një fazë të re, ndaj faktori ndërkombëtar është vënë në lëvizje për të dëgjuar palët dhe për të kërkuar konsensus mes tyre. Dy ditë më parë, Withers, Bosch e Lohan u takuan me Kryeministrin Sali Berisha dhe çështja e zgjedhjeve, posaçërisht ajo e kartave të identitetit, ishte thelbi i bisedës mes tyre. Kartat kanë sjellë një marrëdhënie mosbesuese mes palëve në vend. Nga njëra anë është opozita që këmbëngul për dhënien falas të këtij dokumenti të domosdoshëm për të votuar dhe, nga ana tjetër, është qeveria e cila thotë se ka bërë gjithçka duhet për ta lehtësuar procesin. Thembra e Akilit në këtë proces mbeten 729 mijë shtetas që nuk kanë pasaportë. Opozita këmbëngul se ata përbëjnë shtresën më të varfër të shoqërisë, ndaj duhet që t‘u jepen kartat e identitetit falas si e vetmja rrugë që garanton mundësinë e votimit të tyre më 28 qershor. Prej më se një muaji, opozita ka bërë propozime të njëpasnjëshme, ndërsa qeveria është përgjigjur me disa masa lehtësimi, por që nuk i janë afruar asnjëherë asaj çfarë kërkojnë të majtët. Fillimi i kësaj jave nisi me ultimatumin e opozitës për të marrë masa drastike lehtësimi për dhënien e kartave, në të kundërt u paralajmëruan protesta. Në mungesë të reflektimit të qeverisë shqiptare, opozita deklaroi dje përfundimisht bojkotin e Parlamentit deri në zgjidhje të krizës. Pikërisht në një situatë ku ngërçi sa vjen e thellohet, kanë nisur lëvizjet e para të faktorit ndërkombëtar për t‘u njohur me pretendimet e secilës palë.

Për të mos përsëritur eksperiencat e mëparshme të kontestimit të proceseve zgjedhore, faktori ndërkombëtar ka përveshur mëngët që konsensusi i dëshiruar të arrihet para zgjedhjeve.

Ndryshe nga proceset e mëparshme zgjedhore, ku problem ishin certifikatat dhe listat e zgjedhësve, këtë herë objekt i mosmarrëveshjes janë bërë kartat e identitetit. Pikërisht për këtë çështje ka qarkulluar ideja e shtyrjes së zgjedhjeve në një kohë tjetër, por kjo mundësi është hedhur poshtë kategorikisht nga të dyja partitë e mëdha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›