Qeveria, dy helikopterë në dispozicion të KQZ-së
Qeveria do të vendosë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dy helikopterë për çdo rast emergjent në ditën e zgjedhjeve. Parashikimi është bërë në një prej pikave të memorandumit mes këtij institucioni dhe Këshillit të Ministrave. Mes të tjerash parashikohet që qeveria shqiptare ndihmon dhe merr përsipër disa përgjegjësi për ecurinë e procesit zgjedhor si ambientet për KZAZ-ve, transportin e materialeve etj. Këshilli i Ministrave merr përsipër dhe i garanton KQZ-së sigurimin e ambienteve të nevojshme për zyra të KZAZ-ve, prej ambienteve që janë në administrim të prefektëve ose njësive përkatëse të qeverisjes vendore, si dhe pajisjen e tyre me infrastrukturën e domosdoshme logjistike, asistencë në lidhje me sigurimin e ambienteve për Zyrat Rajonale Zgjedhore të KQZ-së. Angazhimin e strukturave në varësi të Këshillit të Ministrave për transportin e bazës materiale zgjedhore, nga KQZ-ja në KZAZ-të, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ose vënien në dispozicion të KQZ-së për nevoja emergjente gjatë ditës së zgjedhjeve të një ose dy helikopterëve. Prefektët dhe administrata që ata drejtojnë, bazuar edhe në aktet e KQZ-së, do të sigurojnë realizimin e detyrave të parashikuara në këtë memorandum në nivel lokal. Ndërsa nga ana e saj, KQZ-ja merr përsipër t‘u sigurojë në kohë institucioneve të mësipërme informacionin e duhur për realizimin e bashkëpunimit institucional, në funksion të administrimit të procesit zgjedhor. Ndërkaq, KQZ dhe KKRT miratuan dje një marrëveshje bashkëpunimi për monitorimin e fushatës elektorale të vitit 2009. Pas nënshkrimit, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se KKRT-ja është institucioni i vetëm i cili ka kapacitetet dhe mundësitë ligjore për t‘i bërë monitorim fushatës elektorale të partive politike". Ndërsa kryetarja e KKRT-së, Mesila Doda, tha se institucioni që ajo drejton merr përsipër që t‘i ofrojë ndihmë KQZ-së me gjithë kapacitetet teknike, të cilat janë në proces rinovimi. "Si risi do të kemi kapacitetet monitoruese tona, pra monitoruesit e KKRT-së mund të ndihmojnë në monitorimin e fushatës, pasi KKRT ka tashmë kapacitetet njerëzore më të shumta për të ndihmuar në këtë fushatë", tha Doda.