E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS bojkoton sërish: Kthehemi kur të zgjidhet ngërçi

Pajisja e shtetasve me karta identiteti ishte edhe dje kryefjala e diskutimit në sallën e Kuvendit mes mazhorancës dhe opozitës. Deputetët e opozitës, të cilët u përfaqësuan dje në sallë vetëm nga Leskaj, Klosi dhe Dade, rideklaruan se nuk do të jenë pjesë e diskutimeve dhe votimeve në sallën e Kuvendit nëse nuk zgjidhet përfundimisht çështja e kartave të identitetit. Sipas tyre, pajisja e të gjithë shtetasve me to siguron pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi se qeveria duhet të pajisë të gjithë qytetarët me karta identiteti, ndaj tani Berisha ka mundësinë të japë provën e parë si Kryeministër i një vendi anëtar i NATO-s, duke u lehtësuar shqiptarëve mundësinë për të votuar. Sipas Leskajt, "PS-ja është më e interesuar se kurrë që të zgjidhë problemin e kartave dhe është e vendosur të kërkojë deri në fund zhvillimin e votimeve dhe të mos lejojë shkeljen e tyre". Qëndrimi i Leskajt është mbështetur edhe nga deputeti tjetër i PS-së, Blendi Klosi, i cili i kujtoi edhe njëherë mazhorancës dhe qeverisë që të vendosë shpërndarjen e kartave falas për të mos lejuar dështimin e procesit të zgjedhjeve. Karta falas për qytetarët shqiptarë ka kërkuar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetari i grupit parlamentar, Pëllumb Xhufi, theksoi se "rrugëdalja për të shpëtuar zgjedhjet e 28 qershorit është shpërndarja falas e kartave të identitetit". Sipas Xhufit, "mazhoranca po e shfrytëzon situatën e pajisjes me karta, për një fitore të palavdishme në zgjedhje. Kartat janë vërtet të rëndësishme, por ato duhet të ishin shpërndarë kohë më parë, pasi pajisja e shtetasve me këto dokumente një ditë para procesit zgjedhor, i bën ato thjesht ‘karta bianka‘", tha ai. Pretendimet e deputetëve të opozitës u kundërshtuan nga deputetët e mazhorancës, Patozi dhe Paloka. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha se "PS-ja nuk po kërkon kartat e identitetit, por kërkon një kartë për të njollosur paraprakisht procesin dhe për të prishur zgjedhjet e 28 qershorit". Sipas Patozit, "ky Parlament po e mbyll mandatin e tij në mënyrën më dinjitoze, si parlamenti i reformave dhe i NATO-s dhe këtë gjë nuk e cenon aspak qëndrimi qesharak dhe absurd i opozitës". Kryetari i grupit të PD-së tha se "qeveria ka bërë gjithçka që të pajisë me kartat e identitetit çdo qytetar që dëshiron të votojë". Por, theksoi ai, është Edi Rama, i cili u ka bërë thirrje të gjithë socialistëve që të mos shkojnë për të aplikuar për kartat e identitetit. Patozi premtoi se mazhoranca do t‘i arrijë standardet e kërkuara për këto zgjedhje, pavarësisht qëndrimeve jashtë standardit të Edi Ramës. Në të njëjtën linjë diskutimi ishte edhe deputeti Edi Paloka, i cili theksoi se "strategjia e përdorur nga opozita për çështjen e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti është qesharake dhe synon t‘i lërë shqiptarët pa marrë këto dokumente të rëndësishme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›