Nuk ktheu borxhin, godet me karrige të moshuarin
Nuk kthente borxhin, plagoset në lokal 68-vjeçari. Një borxh i pashlyer ka mjaftuar që të nxitë një konflikt të fortë mes dy burrave, duke shkuar deri në plagosjen e borxhliut që nuk ishte treguar korrekt në kthimin e lekëve. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një lokal në qytetin e Pogradecit, rreth orës 18.30 të së mërkurës. 45-vjeçari Vasfi Mancellari është grindur me Dervish Kaprin, pasi ky i fundit i kishte marrë një shumë prej 500 mijë lekësh hua dhe me gjithë insistimin e Mancellarit, ai kishte kohë që nuk ia kthente. Kur huadhënësi e ka parë në lokal 68-vjeçarin i ka kërkuar t‘i kthejë paratë dhe kur ka marrë përgjigje negative më pas e ka kërcënuar. Ky ka qenë shkaku i grindjes së dy burrave. Sherri ka degjeneruar nga fyerjet fizike në goditje me mjete të forta. Mancellari ka marrë karrigen dhe e ka goditur të moshuarin në kokë, duke i shkaktuar një hematomë në pjesën e kokës. 68-vjeçari është dërguar drejt spitalit civil të Pogradecit ku pasi ka marrë mjekimet ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu, të cilat kanë shoqëruar për në komisariatin agresorin. Burime zyrtare nga policia pohojnë se 45-vjeçari do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të "plagosjes së lehtë me dashje".