E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Lushnjë: Do krijojmë Ministrinë e Zhvillimit Rural

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi në Këmishtaj të Lushnjës një tjetër pikë të re të programit qeverisës. Rama tha se programi për bujqësinë dhe zhvillimin rural parashikon miratimin e Kodit të Tokës, i cili në thelb është një reformë ligjore mbi pronën në fshat. Por, me ardhjen e socialistëve në pushtet, do të ketë një ministri të veçantë vetëm për fshatin që do të quhet Ministria e Zhvillimit Rural. Gjatë fjalës në takimin me banorë të Këmishtajt, Rama u ndal te siguria e pronës, sepse sipas tij, pa nisur reformën ligjore mbi pronën në fshat, nuk mund të ketë një fshat që prodhon dhe një treg e çmime të arsyeshme në qytet. "Duke kapitalizuar tokën dhe duke futur në treg kapitalet ne mund të bëjmë politika favorizuese për fshatin. Problemet e tokës dhe të pronësisë paralizojnë financimin e sektorit bujqësor. Do të kryejmë një reformë ligjore në këtë drejtim", u shpreh Rama. Sipas tij, të gjithë legjislacionin ekzistues mbi pronën në fshat dhe në tërësi do ta kthejmë në një kod të tokës. "Do të ndërtojmë dhe aprovojmë në Parlament ‘Kodin e Tokës‘. Do të përfundojmë regjistrimin në të gjitha zonat kadastrale të vendit dhe do ta nxitim zhvillimin e tregut të tokës, duke ofruar qoftë lehtësi fiskale, qoftë lehtësi procedurale, sepse nuk mund të ketë treg shqiptar të zhvilluar pa tregun e tokës dhe nuk mund të shkojmë larg pa futur kapitalizmin në fshat", deklaroi kryesocialisti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›