E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Do fitojmë 5-0 në qarkun e Gjirokastrës

Partia Socialiste ka bërë dje prezantimin e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Gjirokastrës. Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie, Arta Dade ka shprehur besimin se forca që ajo përfaqëson, do të jetë fituese e garës më 28 qershor jo vetëm në Qarkun e Gjirokastrës, por në të gjithë vendin. "Ne do të bëjmë atë që do Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, të cilët në 4 vjet janë zhytur në një skamje të tejskajshme e që po vuajnë edhe represionin e shtetit. Ne jemi një ekip garues, mjaft i fortë, një ekip fitues. Unë besoj që do dalim 5-0 në qarkun e Gjirokastrës dhe ky është objektivi ynë, pasi ata që përfaqësojnë Partinë Demokratike vijnë të konsumuar e me një bilanc negative", ka theksuar Arta Dade, kandidatja kryesore në listën e socialistëve në Gjirokastër. Zonja Dade ka shprehur edhe shqetësimin për kartat e identitetit, të cilat sipas saj nuk po shpërndahen në territorin jugor dhe se aplikimi i tyre po has pengesa të qëllimshme nga ana e strukturave shtetërore në mënyrë të qëllimshme. Kemi 10 ditë si ekip që po merremi me procesin e pajisjes me kartat e identitetit, kemi pasur mjaft probleme nga pengesa të qëllimshme, për t'u mohuar të drejtën e votimit votuesit që votojnë për Partinë Socialiste dhe në përgjithësi për opozitën. Është për të ardhur keq që vetëm me ndërhyrjen tonë në ndonjë rast është zgjidhur problemi dhe jemi bërë vërtet shqetësues edhe për ekipin e ODIHR këtu në Gjirokastër, të cilët kanë të evidentuar çdo shkelje apo akt. Ekziston një numër i konsiderueshëm qytetarësh të cilët nuk kanë mundur dot të pajisen me karta identiteti dhe ky fenomen po haset sidomos në zonat e thella malore, është shprehur Dade. Rastin më konkret e ka sjellë deputeti socialist i Gjirokastrës, Vangjel Tavo për 100 banorët e fshatit Doshnicë në Komunën e Zagories, një zonë e thellë malore. Banorët e këtij fshati të largët kryesisht pleq pa pasaporta, morën rrugën për në Libohovë për të aplikuar për karta elektronike, por u kthyen sërish në banesat e tyre pa aplikuar. Shkaku, sipas Tavos ishte mungesa e qëllimshme e linjës së internetit dhe energjisë elektrike. Ky rast është një mes rasteve të shumta që po konstatohen në zonën jugore të vendit që kanë prapaskena të theksuara politike dhe qëllimdashëse. Ndërsa zonja Dade ka sjellë rastin ku në qendrën e aplikimit të kartave të identitetit në Bashkinë e Memaliajt, ka humbur disku i të dhënave për plotësimin formaliteteve të zakonshme për këtë proces. Pothuajse të 300 aplikantët për këto dokumente identifikimi në qytetin e Memaliajt, do tu duhet sërish të riaplikojnë pikërisht për këtë anomali që besohet se ka qenë e qëllimshme, është shprehur zonja Dade. Për këto dhe të tjera, zonjë Dade ka paralajmëruar se do të dalë me një qëndrim përfundimtar në ditët e mëpasme. Krahas Dades në prezantimin e djeshëm merrnin pjesë edhe deputeti Vangjel Tavo, pjesë e listës së kandidatëve për deputetë si dhe kandidatja tjetër për deputete Elvira Shapllo, ndërsa dy kandidatët e tjerë Kristaq Kristani dhe Ethem Ruka nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të takimeve elektorale në terren.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›