E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, ecuria e procesit të kartave, normale

Rreth 93 mijë banorë të Qarkut të Elbasanit kanë aplikuar deri më datë 27 maj për pajisjen me letërnjoftimin elektronik, ndërkohë që 36.317 prej tyre janë pajisur tashmë me këto dokumente të rëndësishme. Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, gjatë një takimi të mërkurën me kryetarët e njësive vendore të këtij qarku, duke e konsideruar ecurinë e procesit të aplikimit të shtetasve për letërnjoftimin elektronik si shumë normal, ka kërkuar nga të gjithë krerët e njësive vendore të organizojnë punën me qëllim që të shmangen radhët në shpërndarjen e kartave të identitetit. Sipas tij, drejtuesit vendor, duhet të sigurojnë mjete transporti për të gjithë ata shtetas të cilët banojnë larg qendrave të aplikimit. Qeveria shqiptare e ka akorduar fondin për këtë problem dhe tashmë mbetet që ju të organizoni punën në këtë drejtim, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik, iu drejtua prefekti Deliallisi drejtuesve vendorë. Në të njëjtën kohë, ai ka përfituar nga rasti për t'i bërë thirrje të gjithë banorëve të qarkut të Elbasanit që të pajisen me këto dokumente, pasi, sipas tij, vetëm kështu mund të realizohet lëvizja e lirë në Europë. Procesi i aplikimit të qytetarëve për letërnjoftimet e reja elektronike në qarkun e Elbasanit, po ecën me ritme shumë normale. Bazuar në listën zyrtare të marrë nga zyrat e gjendjeve civile vetëm në  bashkinë e Elbasanit kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 54.422 shtetas, ndërsa 22.615 prej tyre e kanë marrë tashmë këtë dokument. Ndërkohë  mësohet se këto ditë rreth 6000 studentë të Universitetit Aleksandër Xhuvani janë pajisur me kuponin  me vlerë prej  200 lekësh për të aplikuar më pas për letërnjoftimin elektronik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›