E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, Ministria e Brendshme i kthen përgjigje PS

Pasi u njoh me kërkesat e Partisë Socialiste për të shmangur dështimin e procesit të pajisjes me kartat e identitetit, Ministria e Brendshme i ka kthyer përgjigje PS-së, duke e vënë në dijeni bashkë me OSBE/ODIHR, se deri më datën 26 maj kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike mbi 1 milionë e 100 mijë shtetas, ku rreth 450 mijë prej tyre i takojnë grupit të qytetarëve pa pasaportë. Sipas saj, nga disa testime të bëra në terren, rezulton se 160 mijë deri në 260 mijë shtetas nga grupi i personave që nuk zotërojnë pasaportë, janë jashtë Shqipërisë, fakt të cilin e kanë pranuar edhe përfaqësues të Partisë Socialiste. Pasi u njohëm me letrën tuaj të datës 26 Maj 2009, si dhe në vijim të të gjitha informacioneve zyrtare që ju kemi dërguar në datat; 1 Shkurt 2009, 20 Mars 2009, 1 Prill 2009, 7 Prill 2009, 15 Prill 2009, 30 Prill 2009, 5 Maj 2009 dhe 19 Maj 2009 ju informojmë se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik po ecën me ritme shumë të mira. Ky proces është i shtrirë në të gjitha zyrat e Gjendjes Civile, të të gjitha komunave dhe bashkive të vendit. Sistemi ka treguar se është i aftë të pranojë deri në 20 000 (njëzetë mijë) aplikime në ditë. Gjithsesi ne besojmë thellë se një numër i konsiderueshëm i atyre që rezulton të mos e kenë një pasaportë udhëtimi, të jenë jashtë Shqipërisë si pasojë e emigracionit të paligjshëm të ndodhur prej më shumë se 15 vitesh. Disa testime provojnë se ky numër luhatet nga 160 000 deri në 260 000, shkruhet në letrën që Ministria e Brendshme i ka dërguar PS-së. Ndërkaq, në lidhje me listën e votuesve që e kanë marrë letërnjoftimin, Ministria e Brendshme sqaron se për shkak të procedurës që kërkon ky proces dhe kërkesës së PS-së të paparashikuar, do tia paraqesë sapo ta sigurojë nga koncensionari. Ju sigurojmë gjithashtu se asnjë shtetas, që nuk ka pasaportë dhe që është paraqitur pranë zyrave të aplikimit nuk ka mbetur pa aplikuar, shkruhet më tej në letër. Së bashku me letrën, Ministria e Brendshme i ka dërguar PS-së edhe listën emërore të të gjithë votuesve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar ende për letërnjoftime elektronike. Sakaq, Ministria e Brendshme i ka kërkuar Partisë Socialiste të respektojë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale gjatë përdorimit të këtyre informacioneve. Ajo, ka garantuar, se bazuar në kapacitetet reale që ndodhen në terren, ekzistojnë mundësitë e plota që çdo qytetar të ketë një dokument identiteti për të votuar në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009. Më në detaje, në letrën e Ministrisë së Brendshme drejtuar Partisë Socialiste, shprehet se në të gjithë vendin janë funksionale,  kapacitetet e plota për pajisjen e të gjithë votuesve pa pasaportë që të aplikojnë dhe të pajisen me letërnjoftimin elektronik. Më tej letra vijon duke theksuar se këto kapacitete ofrojnë mundësi për aplikimin e rreth 500 mijë shtetasve deri më datën 14 Qershor 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›