E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat: TVSH do paguhet edhe nga profesionet e lira

 Brenda këtij viti shërbimi i noterit, avokatit, dentistit apo edhe mjekut privat, do të kushtojë 20 për qind më shumë. Të paktën Qeveria do të marrë nga faturat që këto profesione i presin klientëve për shërbimin e ofruar, 20 për qind më shumë taksë. Në parashikimin ekonomiko-fiskal, të Qeverisë për vitin 2010, parashikohet edhe përfshirja e profesioneve të lira në skemën e TVSH. Qeveria parashikon që të miratojë ndryshimin ligjor në skemën e TVSH, brenda 6-mujorit të parë të këtij viti. Duke qenë se TVSH është një tatim që paguhet nga konsumatori, atëherë ka shumë mundësi që çmimet e shërbimeve të ofruara nga profesionet e lira, të rriten me të njëjtën përqindje sa taksa. Në profesionet e lira, përfshihen shërbimet e ofruara nga avokatët, noterët, mjekët privatë (jo në klinika private), dentistët, farmacistët. Këto janë pjesa kryesore e shërbimeve të domosdoshme për qytetarët. çmimet e ofruara nga këto profesione, pas miratimit të ligjit, sigurisht që do të kushtojnë më shtrenjtë. Ashtu siç do të kushtojnë më shtrenjtë edhe punët e përfituara nga profesionet e tjera të lira, si arkitektët, ekspertët kontabël, apo projektuesit dhe inxhinierët. Por duke qenë se shërbimet e tyre nuk janë direkte për qytetarët, barra e re fiskale pritet të mos ketë efekte direkte në çmimin final. Burime nga financat e justifikojnë këtë ndërhyrje me shtrirjen më të gjerë të Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar. Strategjia e financave është aplikimi në të gjithë skemën e biznesit të TVSH. Por efekti direkt që kjo taksë do të japë, është mbi konsumatorin. Mbrojtja e vetme e çmimit, do të ishte njohja si shpenzime të TVSH për shërbime të tjera të nevojshme nga profesionet e lira. Gjë që deri tani nuk është njohur nga tatimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›