Dade: “Fundi i bojkotit të PS-së, në dorën e kryeministrit Berisha”
Opozita do të ndërmarrë çdo rrugë demokratike për transparencën e zgjedhjeve
Partia Socialiste nuk do të ndalet në misionin e saj për të hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit duke kërkuar të hapen kutitë e votimit. Sipas opozitës dhe sugjerimeve të draft-rezolutës së Këshillit të Europës, rruga për t’i dhënë fund bojkotit është dialogu me maxhorancën për hapjen e kutive, duke ngritur komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje. Deputetja e PS-së, Arta Dade, dje, në një komunikim me mediat, theksoi se pa u garantuar e drejta e votës së popullit opozitar nuk mund të ketë demokraci në Shqipëri. Opozita e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se protestat do të vazhdojnë pa u ndalur nëse kryeministri Sali Berisha nuk merr parasysh kriteret e vendosura nga socialistët.
Deklarata
Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, deklaroi se fundi i bojkotit të opozitës është në duart e kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Ajo nënvizoi se nuk është bojkoti që krijon krizën, por kriza që sjell bojkotin. “Bojkoti tashmë është në dorë të Sali Berishës. Kërkesa jonë është e thjeshtë: shumicën në një komision hetimor parlamentar, të pakushtëzuar në objektin e hetimit, që përfshin hetimin e kutive së bashku me materialet zgjedhore, për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit”, - nënvizoi deputetja Dade. Deputetja Dade bëri të ditur se PS-ja nuk do të tërhiqet nga misioni i saj për të kërkuar të drejtën e popullit opozitar dhe për të rivendosur demokracinë në vend. Për të risjellë demokracinë në këtë vend, Dade deklaroi se PS-ja do të përdorë çdo rrugë demokratike, duke vijuar edhe protestat. Në këtë kuadër, Dade theksoi se opozita nuk do të pranojë të bëhet pjesë e dekorit në kutinë e mbyllur të Parlamentit të Berishës dhe Topallit. “Në emër të Partisë Socialiste dëshiroj t’i kujtoj edhe njëherë Sali Berishës se misioni ynë është rivendosja e demokracisë, në thelb të së cilës qëndron e drejta e një populli për të vendosur përmes votës së lirë dhe të patjetërsueshme. Derisa kjo e drejtë të rivendoset, Partia Socialiste do të përdorë çdo mjet dhe mënyrë demokratike për të mos lejuar degradimin e mëtejshëm të një shteti në shërbim të pushtetit”, - theksoi Dade. Ajo vuri në dukje sjelljen e kryeministrit Berisha, i cili, sipas saj, sajon të pavërteta duke u fshehur pas tyre, me qëllim moshapjen e kutive. “Sali Berisha vazhdon të fshihet pas të pavërtetave me vendime gjykatash për të na treguar se nuk ka ndër mend të bëjë asgjë për t’i dhënë fund krizës së rëndë politike, ekonomike dhe sociale ku është zhytur vendi”, - u shpreh Dade.
Degradimi i shtetit
Në gjykimin e deputetes socialiste Dade, degradimi i shtetit shqiptar ka ardhur si pasojë e censurimit të lirisë institucionale nga pushteti ekzekutiv. “Ne nuk mund të lejojmë që institucionet e pavarura të kthehen në instrumente të një kryeministri që qëndron në pushtet falë votave të vjedhura. Është pikërisht ky degradim i thellë i shtetit që burimin e ka te mosrespektimi i lirisë dhe të drejtës së një populli për të zgjedhur, që ka sjellë më shumë se tri fatkeqësi dhe katastrofa për shqiptarët në më pak se 20 muaj”, - theksoi Dade. Ajo solli në vëmendje korrupsionin qeveritar, i cili ka sjellë pasoja në vend dhe te shqiptarët. Dade u shpreh se në fillim doli në pah shpërthimi i korrupsionit në Gërdec, i cili mori 26 jetë të pafajshme njerëzish, shembja e tunelit të kombit, që sipas saj, varrosi qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë dhe së fundi, përmbytjet në Shkodër, që rrënuan mijëra familje.
23 Janar 2010