E Diel, 1 Nëntor 2026

Shamku: “Ligji për arsimin privat, merr fund shqetësimi i PS-së”

Më në fund, pas miratimit në Parlament një ditë më parë të ligjit për heqjen e Taksës së Vlerës së Shtuar për arsimin privat, nga maxhoranca ka reaguar dje deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku. Me miratimin e këtij ligji Shamku u shpreh se mori fund shqetësimi i PS-së prej kohësh. “Sali Berisha, hiq dorë nga ideja se mund të tallesh pafundësisht me këtë popull. E duke qenë se ke pohuar po vetë se kjo taksë qe e gabuar, je i detyruar ta shoqërosh këtë vendim me një ndjesë publike ndaj familjeve që e paguan këtë taksë për kaq vite për shkak të babëzisë tënde”, - u shpreh Shamku. Ajo tha se në shtator të vitit 2005, kur qeveria “Berisha” ndërmori rrënimin e sistemit tonë arsimor, kjo taksë nuk ekzistonte, ndërsa në fillim të vitit 2008 TVSH-ja mbi arsimin privat hyri në fuqi. Deputetja Shamku bëri të ditur se dy vjet më parë Partia Socialiste kundërshtoi me forcë shfuqizimin e Nenit 24/1 të Ligjit Nr. 7928, i cili i jepte fund përjashtimit të furnizimit të shërbimeve arsimore nga skema e TVSH-së, duke konsideruar se kjo taksë i diskriminonte 2 herë familjet shqiptare. Ndërsa më tej, vijoi Shamku, në tetor të vitit 2008, Partia Socialiste ndërmori një nismë të posaçme ligjore për përjashtimin e arsimit privat nga skema e TVSH-së, por, sipas saj, qeveria e Berishës, me një kokëfortësi skandaloze i injoroi këto qëndrime që erdhën si nga ana e opozitës, ashtu dhe nga shkollat e universitetet private. “E para, se ato e paguajnë detyrimisht shërbimin publik edhe pse nuk e marrin; e dyta, se shteti, nga paaftësia i dërgon te privati dhe më pas edhe i taton”, - tha Shamku.

Islami: “Të zbatohen sugjerimet e Këshillit të Europës”

Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, dje, në një prononcim për mediat, deklaroi se rekomandimet e dy raporterëve të Këshillit të Europës duhet të zbatohen, pasi marrëdhëniet me Asamblenë Parlamentare të KE-së do të rrezikohen. Sipas ish-anëtarit të delegacionit shqiptar në këtë asamble, drafti që do të votohet javën e ardhshme ka një karakter orientues pikërisht për të mos cenuar marrëdhëniet e një vendi ende në monitorim si Shqipëria dhe këtij institucioni. “Shqipëria vazhdon të monitorohet, të jetë një vend që ka ende elemente detyrimesh që nuk i ka plotësuar në kuadrin e gjithë kërkesave dhe detyrimeve që ka Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Në qoftë se ky obligim që lidhet me sjelljen politike në Parlament dhe funksionimin e politikës shqiptare dhe të Parlamentit në veçanti nuk do të jetë ashtu siç ndodh në çdo vend demokratik, ata e kanë përshkruar edhe në këtë raport që kjo do të prekë marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës”, - tha Islami.

23 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›