Presidenti Topi takon ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, vlerësohet bashkëpunimi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Në këtë takim dy personalitetet e larta vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Sllovakisë dhe shprehën besimin për thellimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha nivelet. Në mënyrë të veçantë, presidenti Topi dhe ministri i Jashtëm sllovak, Lajçak, nënvizuan rëndësinë e forcimit dhe të thellimit të bashkëpunimit ekonomik në fushën e turizmit, kulturës, shkencës etj. Gjatë takimit Topi vlerësoi hapjen zyrtare të përfaqësisë diplomatike sllovake në Tiranë, si një kontribut i drejtpërdrejtë e konkret për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në Sllovaki dhe në mbarë Europën e Bashkuar, si dhe për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, turistike e kulturore. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Lajçak, i shprehu mirënjohjen presidentit Topi për pritjen dhe vuri në dukje se vizita e takime të këtij niveli i shërbejnë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë në të gjitha fushat.
Basha dhe Lajçak vizitojnë qendrën e prodhimit të pasaportave biometrike
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, vizitoi dje qendrën e Personalizimit të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Lajçak e cilësoi procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike një argument shumë të fortë në marrjen e vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave. “Duke gjykuar nga ajo që pashë në këtë qendër mund të them se procesi është konform standardeve më të larta ndërkombëtare dhe është përfundimisht një argument pozitiv shumë i fortë për marrjen e vendimit të BE për udhëtimin e lirë pa viza për qytetarët shqiptarë. Atë që kam parë këtu do të kem kënaqësinë ta paraqes te partnerët dhe kolegët e mi të vendeve anëtare të BE-së”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Sllovakisë. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh se procesi i aplikimit nga qytetarët shqiptarë për pasaporta biometrike është plotësisht në udhë të mbarë. “Sot ne kemi arritur qartësisht dhe bindshëm ritmet më të larta në gjithë kontinentin europian përsa u përket aplikimeve për frymë për pasaporta biometrike”,- tha Basha. Ministri i Brendshëm shqiptar tha se numri i aplikimeve për pasaporta biometrike së fundi ka kapur shifrën e 11400 të tillave. Që nga fillimi i procesit e deri më tani kanë aplikuar për pasaportë biometrike afro 450 mijë qytetarë shqiptarë.
23 Janar 2010